Franca bëri hap prapa në mosmarrëveshjen e saj me Mbretërinë e Bashkuar për të drejtat e peshkimit pas BREXIT-it dhe përjashtoi vendosjen e sanksioneve të planifikuara nga mesnata pasi Londra zyrtare ka sinjalizuar lëvizje konstruktive për licencat e peshkimit.

Presidenti Emmanuel Macron, i cili po merr pjesë në edicionin e 26-të të Konferencës së Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike, ose COP26, u tha gazetarëve se sanksionet nuk do të përdoren gjatë negociatave midis Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Komisionit Evropian, raporton kanali BFMTV.

Ministri francez për çështjet evropiane, Clement Beaune, gjithashtu konfirmoi të njëjtën gjë në Twitter, duke thënë se Franca kishte marrë “sinjalet e para nga autoritetet britanike për të përshpejtuar tregtinë, ndërsa reagim për propozimet e fundit nga autoritetet franceze pritet të mërkurën”.

Beaune tha se kishte ftuar homologun e tij, Sekretarin e Brexit-it, David Frost, për një diskutim të thelluar të enjten mbi vështirësitë në zbatimin e marrëveshjeve midis Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar.

“Për të lejuar vazhdimin e dialogut të hapur kështu, masat e shpallura dhe të përgatitura nga Franca nuk do të zbatohen përpara këtij takimi dhe shqyrtimit të përgjigjeve të reja britanike në lidhje me licencat e peshkimit”, tha ai.

Parisi kishte kërcënuar se do të zbatonte masa hakmarrëse nga 2 nëntori nëse Britania e Madhe nuk do të vepronte për dhënien e licencave për peshkatarët francezë sipas një marrëveshjeje tregtare pas BREXIT-it. Sipas zyrtarëve francezë, Britania e Madhe ka refuzuar mbi 40 për qind të aplikimeve të peshkatarëve francezë, duke i penguar ata të peshkojnë në ujërat britanike.

Britania nga ana e saj i kishte kërkuar Francës të tërhiqte kërcënimet që përfshinin shtimin e kontrolleve doganore dhe sanitare për mallrat dhe kamionët që vijnë nga Britania e Madhe dhe ndalimin e anijeve britanike të peshkimit të shkarkojnë prodhimet e tyre në portet e saj, gjë që do të prishte tregtinë midis dy vendeve.

Pas disa muajsh mosmarrëveshje, Macron dhe kryeministri britanik Boris Johnson u takuan të dielën në margjinat e samitit të G20 në Romë për të zbutur tensionet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re