Nga; Sali Shasivari

Fjalimi i fundit i presidentit francez (lexo: francuz) Emanuel Makron në lidhje me Islamin si fe, përpos që ishte i stërmbushur me shumë blasfemi, diskriminim, islamofobi, nxitje, shovinizëm, fashizëm, etj. (elemente këto, të cilat, jo vetëm që duhet demantuar, por, të njejtat, duhet të sanksionohen dhe dënohen me ligj); ky fjalim ngërtheu në vehte shumë elemente të natyrës psikopatologjike, të cilat duhet analizuar dhe trajtuar mirëfilli edhe nga ky kënd!

Kjo, ngase, tajmingu, rrethanat, përmbajtja dhe toni i fjalimit, të bën të kuptosh se bëhet fjalë për urrejtje të thellë, frustracion të skajshëm, dhe paranojë ekstreme të një “burrështetasi”, i cili, nga njëra anë, mundohet të hiqet si ithtar dhe promovues i ideve iluministe, kulturore, civilizuese, demokratike, laike, etj., mirëpo, nga ana tjetër, nuk arrin dot ta fshehë gjithë atë mllef, urrejtje, frustracion dhe paranojë, e cila është rezultat i një të kaluare të zezë historike të popullit dhe vendit të tij; e kaluar kjo, e stërngarkuar me padrejtësi, eksploatim, krime dhe gjenocid ndaj shumë popujve dhe vendeve tjera të botës, dhe e cila, hijëzon rëndë mbi të tashmen e këtij populli dhe vendi konform nostalgjisë për të kaluarën, si dhe apetiteve për vazhdimin e kësaj ‘ëndrre’ dhe ‘mendësie’ (neo) kolonialiste të përmasave të kryqzatave të Papa Urbanit të II-të, ‘ekspeditave ushtarake’ të Napoleon Bonapartës, si dhe kolonizimit francez (lexo ‘alafranga’) të kontinentit Afrikan…!

Tashmë që rrethanat botërore kanë ndryshuar; dhe, duke marë parasysh faktin se popujt musliman janë zgjuar nga letargjia e shekullit 19-të dhe fillimshekullit 20-të, një realitet i këtillë nuk ka se si të mos e irritojë ‘përfaqësuesin’ e Elizesë dhe të Versajit famëkeq, me ç’rast, ai, në pamundësi që të mallkojë direkt popujt dhe vendet “barbare” të cilëve nuk ju bën më përshtypje “iluminizmi” francez, ai vendosi që të atakojë simbolin dhe forcën shtytëse e cila i vetëdijësoi këta popuj dhe këto vende karshi ‘kolonizatorëve’ shekullorë francez, të cilët, për dallim nga shumë kolonizatorë dhe konkuistë tjerë përgjatë historisë, kudo që shkeli këmba e tyre, jo vetëm që nuk lanë kurrfarë trashëgimie kulturo-civilizuese, por, të njejtët, ushtruan gjenocid dhe kulturocid të paparë, sa që në ato vende ku shkeli këmba e tyre nuk ‘mbiu bar’ për dekada të tëra…!

Mbase, ky gjenocid dhe kulturocid u ushtrua me metoda dhe forma të ndryshme…

Kështu, kryqëzatat, të cilat u nxitën nga Papa francez Urbani i II-të, gjatë fjalimit të tij famëkeq në Këshillin e Klermontit (Concile de Clermont) që u mbajt në vitin 1095 në Francë, u nisën nën parrullat e pastrimit të Tokës së Shenjtë nga “paganët” dhe “barbarët” (e që ishin për qëllim muslimanët)…! Në këtë kontekst, mjafton të lexosh kronikat e murgut francez Robert Lemoine (i cili mori pjesë në Këshillin e Klermontit) me titull ‘Historia Hierosolymitana’ (Historia e Jerusalemit), në të cilat përshkruhen detajet e fjalimit të Papës Urbani i II-të, si dhe kronikat e Foucher de Chartres (priftit francez i cili mori pjesë në Kryqzatën e Parë), për të kuptuar se për çka – në të vërtetë – bëhet fjalë…!

Më vonë, ‘ekspeditat ushtarake’ famëkeqe të Napoleon Bonapartës në Lindjen e Mesme (Egjipt, Siri dhe Palestinë) u zhvilluan nën pretendimin e lirisë, të drejtave, dhe ripërtëritjes së fesë së vërtetë. Kështu, në Deklaratën tij famëkeqe drejtuar popullit të Egjiptit në Korrik të vitit 1798, Napoleoni, në mes tjerash tha: “Njerëz të Egjiptit, juve ju është thënë që unë kam ardhur këtu vetëm për të shkatërruar fenë tuaj; kjo është një gënjeshtër; mos e besoni; tregojuni atyre se unë erdha të rivendos të drejtat tuaja dhe të ndëshkoj uzurpatorët; dhe se, unë e respektoj Zotin, profetin e Tij dhe Kuranin më shumë sesa Memlukët. …”! (Shih: Wikisource – Declaration du general Bonaparte au people egyptien, 1798).

Ndërsa, kolonizimi ‘alafranga’ francez ndaj shteteve afrikane u zhvillua nën moton e ‘misionit civilizues (mission civilisatrice), duke pretenduar përhapjen e iluminizmit francez në mesin e “barbarëve” afrikanë… E, në këtë kontekst, mjafton të lexosh vetëm diç nga historia e barbarizmit francez të ushtruar ndaj popullit algjerian përgjatë 132 viteve kolonizim (1830 – 1962), për të kuptuar lehtë dhe shpejtë se kush ishin barbarët e vërtetë…!

Dhe, ja, nën këtë hije të zezë të ‘rreve kolonialiste franceze’, presidenti francez ‘axhami’ paraqitet në stilin e një ‘Napoleoni’ të ri, dhe, me gjuhën e Papës Urbani i II-të, duke shpallur ‘kryqëzatë’ të re ndaj muslimanëve (kësaj rradhe, të veshur me petkun e ‘laicizmit’), edhe atë, përmes hapjes së një ‘fronti të ri’ ndaj vetë Islamit si fe, e cila, sipas tij, ‘përjeton krizë në të gjitha vendet ku është prezent’, dhe se i njëjti ‘duhet ristrukturuar dhe ndryshuar’!

Sa shumë ngjason e sotmja me të djeshmen!

Normalisht, përmes hapjes së këtij fronti të ri, presidenti Makron po luan rolin e ‘gjuetarit të shtrigave’, duke u munduar që, përmes kësaj mendësie, nga njëra anë t’i mbulojë turpet dhe krimet e vendit të tij në të kaluarën e largët dhe të afërt, ndërsa nga ana tjetër, ta defokusojë vëmendjen e opinionit vendor dhe ndërkombëtar nga roli destruktiv i politikave aktuale franceze përkitazi me ngjarjet e ndryshme anekënd globit (si në Siri, në Libi, në Mali, në Egjipt, në Algjeri, në Mesdhe, në ish-kolonitë e saj, në konfliktin aktual Ermeno-Azerbejxhanas, etj.), me ç’rast, ajo (Franca) është rreshtuar në anën e kundërt të vlerave demokratike dhe njerëzore, edhe atë, duke përkrahur ashiqare diktatorë, puçistë, terroristë, agresorë, etj., si dhe, duke vazhduar eksploatimin sistematik të popujve dhe ish-kolonive të saja…!

Për më tepër, ai, përmes këtij fjalimi mundohet ‘të hedh pluhur syve’ karshi dështimit të tij – dhe vendit të tij – në planin politik, ekonomik dhe social; duke u munduar të gjejë ‘fajtor kujdestar’… gjithmonë në suaza të tentativave populiste për përfitimin e masave dhe fitimin e zgjedhjeve…; ‘fajtor kujdestar’ ky, i cili, zakonisht i mveshet islamit dhe muslimanëve!

Në kohën kur pritej që presidenti francez të del dhe të kërkojë falje publike për të gjitha padrejtësitë dhe krimet që i ka bërë vendi i tij ndaj shumë vendeve dhe popujve të botës, e në veçanti popujve musliman, si dhe, në momentin kur prej tij pritej që të ofrojë alternativa dhe zgjidhje kundrejt demonizimit, diskriminimit dhe getoizimit të vazhdueshëm ndaj komuniteteve joshumicë në vendin e tij në përgjithësi, si dhe ndaj komunitetit musliman në veçanti, ai del në stilin e një ‘palaçoje’, duke bërë ‘cirk’ përmes ‘lojës me zjarr’!

Ky frustracion dhe kjo paranojë e përmasave histerike, e cila është rezultat i një ‘kujtese të rënduar’ me të vërteta të hidhura historike dhe aktuale, ndonëse është e qartë dhe e kuptueshme për një “burrështetas” të një vendi (neo) kolonialist, ‘ëndërrat’ e të cilit janë në shuarje e sipër… Megjithatë, një retorikë e këtillë nuk guxon të kalojë pa u demantuar publikisht dhe pa u ndëshkuar ligjerisht nga të gjitha institucionet relevante si dhe nga të gjitha shtresat shoqërore, pa dallim kombi, feje apo race…

Kjo, ngase, fjalimet e këtilla shoviniste dhe fashiste nxisin urrejtje dhe konflikte me përmasa të paparashikueshme, pasojat e të cilave do t’i ndjejnë të gjithë… sidomos në këto kohëra në të cilat jemi dëshmitarë të faktorizimit gjithnjë në rritje të së ‘djathtës ekstreme’, si dhe pasojat fatale që i ka shkaktuar ky faktorizim ndaj të huajve në përgjithësi, si dhe ndaj muslimanëve në veçanti, pasoja këto të cilat manifestohen – ditë e më tepër – me sulme të ndryshme verbale dhe fizike ndaj muslimanëve, simboleve të tyre, grave me mbulesë, faltoreve, etj..

Ndërsa, sa i takon Islamit si fe universale, bisedat e këtilla as nuk e dëmtojnë e as që do të arrijnë ta ndryshojnë atë…

Islami është bindje e ngulitur thellë në natyrën e pastër njerëzore, si dhe, fe e shpallur dhe e garantuar nga Krijuesi i Gjithësisë…

Ai (Islami) mund të akuzohet dhe keqpërdoret me të padrejtë, por si i tillë, ai, as nuk nuk është në krizë, e as që mund të njolloset, të dobësohet, apo të ndryshohet… Përkundrazi, ai posedon dy tipare vitale, edhe atë: kur sulmohet, forcohet; e kur lihet rehat, zgjerohet…

Përgjatë historisë së njerëzimit, të shumtë kanë qenë si puna e e këtij ‘francuzit çapkën’, të cilët janë munduar ta ristrukturojnë dhe ndryshojnë Islamin… Mirëpo, të njejtët, kanë mbaruar në ‘koshin e plehrave’ të historisë, ndërsa, Islami ka vazhduar rrugëtimin e tij brez pas brezi…

I këtillë ka qenë, është, dhe do të jetë kjo fe hyjnore, deri sa të jetë jeta…

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re