Ministri i Brendshëm i Francës, Gerald Darmanin, njoftoi se vendi i tij do të mbyllë shtatë xhami dhe shoqata të tjera deri në fund të këtij viti, të dyshuara për promovimin e “islamizmit radikal”.

Darmanin gjithashtu përshëndeti vendimin për të mbyllur një xhami në qytetin Allonnes për gjashtë muaj me arsyetimin se ajo mbron “islamin radikal”.

Ai tha se u sekuestruan edhe llogaritë bankare të administratorëve të xhamisë, duke shtuar se 13 shoqata janë mbyllur në vend që kur presidenti Emmanuel Macron mori detyrën.

Duke vënë në dukje se 92 nga 2500 xhamitë në vend u mbyllën si rezultat i inspektimeve, Darmanin tha se që nga shtatori 2020, 36.000 të huajve u janë anuluar lejet e qëndrimit me arsyetimin se këta persona kërcënojnë rendin publik.

– Ligji kundër separatizmit

Në gusht, autoriteti më i lartë kushtetues i Francës miratoi një ligj të diskutueshëm “anti-separatizmi” që është kritikuar për veçimin e muslimanëve, duke rrëzuar vetëm dy nga nenet e tij.

Projektligji u miratua nga Asambleja Kombëtare në korrik, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga ligjvënësit e djathtë dhe të majtë.

Qeveria pretendon se legjislacioni synon të forcojë sistemin laik të Francës, por kritikët besojnë se ai kufizon lirinë fetare dhe margjinalizon muslimanët.

Ligji i lejon zyrtarët të ndërhyjnë në xhami dhe shoqata përgjegjëse për administrimin e tyre, si dhe të kontrollojnë financat e shoqatave dhe organizatave joqeveritare të lidhura me muslimanët. Ai gjithashtu kufizon zgjedhjet arsimore të muslimanëve duke e bërë të detyrueshme lejen zyrtare për vijimin e shkollimit në shtëpi.

Sipas ligjit, pacientëve u ndalohet të zgjedhin mjekët e tyre në bazë të gjinisë për arsye fetare ose të tjera dhe “edukimi laik” është bërë i detyrueshëm për të gjithë nëpunësit civilë.

Franca është kritikuar nga organizatat ndërkombëtare dhe OJQ-të, veçanërisht nga OKB-ja, për shënjestrimin dhe margjinalizimin e muslimanëve me këtë ligj.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re