Franca ka deklaruar se është e gatshme të ndihmojë presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, nëse ai vendos të largohet nga vendi pasi shqetësimet për sigurinë e tij u rritën mes bombardimeve të shtuara ruse rreth kryeqytetit Kiev.

Duke folur për ‘FranceInter’, ministri francez i Punëve të Jashtme, Jean-Yves Le Drian, tha se siguria e presidentit Zelenskyy është thelbësore për zhvillimet aktuale në Ukrainë.

“Siguria e tij është një element thelbësor i asaj që po ndodh dhe ne jemi në gjendje ta ndihmojmë atë, nëse është e nevojshme, por me rëndësi është që ai të zë vendin e tij”, tha Le Drian.

Ministri francez shtoi se është i mahnitur nga aftësia e presidentit ukrainas për të ruajtur gjakftohtësinë, me mjeshtërinë e fjalëve të tij dhe mënyrën se si ai e drejtohet popullit të tij, në një kohë presioni të jashtëzakonshëm politik dhe ushtarak.

Në një fjalim televiziv, Zelenskyy deklaroi se ai dhe familja e tij do të vazhdojnë të qëndrojnë në kryeqytetin Kiev.

“Armiku më ka shënuar si objektivin numër një. Familja ime është objektivi numër dy. Ata duan ta shkatërrojnë politikisht Ukrainën duke shkatërruar kreun e shtetit. Unë po qëndroj në Kiev me popullin tim dhe po ashtu edhe familja ime”, tha Zelenskyy.

Ndërkohë, ministrja franceze e Mbrojtjes, Florence Parly, duke iu përgjigjur ankesës së Zelenskyy-t se Ukraina është lënë e vetme për t’u mbrojtur kundër fuqisë ruse, pohoi se ata kanë dorëzuar pajisje ushtarake në Kiev dhe garantoi se “shumë shpejtë” do të dërgojnë më shumë pajisje ushtarake.

“Ne nuk dërgojmë pajisje ushtarake siç dërgojmë ndihma humanitare. Këto janë pajisje që u nënshtrohen rregullave”, tha Parly për ‘RTL news’.

Ajo shtoi se ministria që drejton ajo aktualisht po shqyrton kërkesa të tjera nga Ukraina, të cilat do të dorëzohen më vonë.

Ajo po ashtu mohoi nocionin e hakmarrjes së Moskës kundër vendeve që i kanë ardhur në ndihmë Ukrainës, duke theksuar se Franca “kurrë nuk e ka nënshtruar politikën tonë të eksportit të armëve ndaj vendimeve dhe dëshirave të Rusisë”.

Qeveria franceze po ashtu ka shprehur shqetësim për operacionet e vazhdueshme ruse dhe rrezikun se ato mund të zgjerohen në Moldavi dhe Gjeorgji. Për momentin, Franca ka mohuar dërgimin e trupave në Ukrainë, por presidenti Emmanuel Macron ka njoftuar vendosjen e ushtarëve francezë në Rumani

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re