Franca i premtoi Algjerisë përshpejtimin e dorëzimit të arkivave të periudhës koloniale dhe pastrimin e mbetjeve të testimeve bërthamore që ka kryer në shkretëtirën e Saharasë së Algjerisë.
Në një deklaratë me shkrim nga Ministria e Jashtme algjeriane thuhet se mes dy vendeve u mbajt Takimi i 9-të i Dialogut Politik i cili u zhvillua nën kryesimin e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Algjerisë, Ammar Billani dhe Sekretares së Përgjithshëm të Ministrisë së Jashtme të Francës, Anne-Marie Descotes.
“Pala franceze premtoi kthimin e arkivave të periudhës koloniale dhe përshpejtimin e procesit për të pastruar fushat e testimit bërthamor nga radiacioni”, thuhet në deklaratë.
Teksa në deklaratë nuk jepen më shumë detaje, vihet në dukje se në takimin në fjalë janë diskutuar edhe përgatitjet lidhur me vizitën që presidentin i Algjerisë, Abdelmadjid Tebboun do të zhvillojë në maj në Paris.
Zyrtarët algjerianë deklarojnë se 98 për qind e arkivave të vendit të tyre që datojnë nga periudha koloniale (1830-1962) dhe që shtrihen deri në periudhën Osmane janë në Francë.
Sipas zyrtarëve francezë, mes viteve 1960 dhe 1966 autoritetet koloniale franceze kanë kryer një sërë testimesh bërthamore, përfshirë 4 mbi tokë dhe 13 nën shkretëtirën algjeriane, të cilat vazhdojnë ende të kërcënojnë mjedisin dhe shëndetin e njerëzve të rajonit.
Presidenti i Algjerisë, Tebboun në një deklaratë për gazetën “Le Figaro” më 29 dhjetor, i bëri thirrje Francës për të pastruar mbetjet e testimeve bërthamore që ka kryer në shkretëtirën e Saharasë së Algjerisë. Ai ka thënë se qeveria franceze duhet të interesohet për algjerianët që janë dëmtuar në rajonin ku janë kryer testimet.
Burimi: AA