Franca nuk do ta njohë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Katalonjës.
Ministrja e Francës për Çështjet Evropiane, Nathalie Loiseau tha se nuk do ta njohin shpalljen e pavarësisë së Katalonjës, në qoftë se kjo bëhet në mënyrë të një anshme, shkruajnë mediet e huaja.
Loiseau, duke iu përgjigjur pyetjes së televizionit CNews tha se “Nëse do të ketë një deklarim të pavarësisë, atëherë kjo do të jetë e njëanshme dhe nuk do të njihet”.
Duke u bërë thirrje palëve për vendosjen e dialogut, Loiseau tha se rezultati i parë i shpalljes së pavarësisë do të jetë dalja e Katalonjës nga Bashkimi Evropian.
Gjithashtu edhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron në një takim me kryeministrin e Spanjës, Mariano Rajoy pas referendumit të 1 tetorit, tha se mbështesin unitetin kushtetues të Spanjës.
Në rajonin Pyrenees-Orientales të Francës e cila njihet si “Katalonja Veriore” jetojnë rreth 470 mijë persona të cilët kanë lidhje të ngushta me qytetarët e rajonit të Katalonjës në Spanjë.
Pritet që nesër presidenti i Qeverisë Autonome të Katalonjës, Carles Puigdemont, t’i prezantojë Parlamentit rezultatet e referendumit të pavarësisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re