Presidenti francez Emmanuel Macron dëshiron të njoftojë ndërtimin e gjashtë reaktorëve të rinj bërthamorë EPR në tokën franceze para Krishtlindjeve, raportoi të martën e përditshmja Le Figaro.

Gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale në Francë, vendimi për të ndërtuar gjashtë reaktorë bërthamorë u përshpejtua nga kriza e energjisë në Evropë, si dhe rritja e çmimeve të energjisë, e cila po ndikon gjithnjë e më shumë në standardin e jetesës së qytetarëve, shton gazeta.

Një zëdhënës i zyrës së presidentit francez nuk pranoi të komentojë mbi raportin.

Në fillim të mandatit të tij, Macron premtoi të zvogëlojë pjesën e energjisë bërthamore në përzierjen e energjisë franceze nga 75 në 50 përqind aktual në 2035. Por kriza aktuale e energjisë ka ndryshuar prioritetet e Parisit.

 Teknologji franceze

“Kriza e energjisë tregon se ne kemi të drejtë të zgjedhim energjinë bërthamore si pjesë e kalimit në energjinë e gjelbër,” tha një zyrtar i lartë i paidentifikuar i qeverisë për Le Figaro.

Më parë, qeveria franceze pretendoi se nuk do të niste projekte të reja të ndërtimit të reaktorit EPR derisa të përfundonte një central bërthamor në ndërtim në Flamanville, në veriperëndim të vendit, i cili përdor teknologjinë e re. Përfundimi i projektit Flamanville është gati dhjetë vjet me vonesë, dhe kostoja përfundimtare mund të jetë pesë herë më e lartë se sa ishte planifikuar.

Ende nuk dihet se kur reaktori mund të jetë në punë, por mediat thonë se me siguri nuk do të jetë para fundit të vitit 2022.

EPR është një teknologji e zhvilluar nga kompanitë franceze Framatome dhe EDF, dhe aktualisht ekzistojnë vetëm dy reaktorë bërthamorë EPR në botë, të dy në Taishan, Kinë, të cilët hynë në përdorim komercial respektivisht në dhjetor 2018 dhe shtator 2019.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re