Odette Niles, një njëqindvjeçare që u bë simbol i rezistencës gjatë pushtimit nazist të Francës, vdiq të shtunën mbrëma, me presidentin Emmanuel Macron që e quajti atë mishërimin e “një shekulli përkushtimi dhe lirie”.

“Odette Niles përfaqësoi një shekull angazhimi dhe lirie. Ne do të vazhdojmë të mbajmë kujtimin e saj”, tha kreu i shtetit francez në Twitter.

E lindur më 27 dhjetor 1922 në Paris dhe anëtare e komunistëve të rinj që nga viti 1940, ajo shpërndante fletëpalosje dhe mori pjesë në demonstrata gjatë pushtimit përpara se të arrestohej në gusht 1941 nga policia franceze.

Më pas ajo u transferua në një kamp internimi në rajonin Loire-Atlantique, ku takoi një tjetër anëtar të njohur të lëvizjes së rezistencës, Guy Môquet, përpara ekzekutimit të tij së bashku me 47 të burgosur të tjerë.

Në “barrierën”, kufirin mes kampit të femrave dhe meshkujve, ajo i premtoi një puthje që nuk do të mund t’ia jepte kurrë.

Mesazhi i fundit i Guy Môquet ishte gjithashtu për Odette: “Unë do të vdes (…) pa marrë atë që më premtove”.

Niles, e cila atëherë quhej “e fejuara e Guy Môquet”, u transferua më pas në disa kampe gjatë tre viteve, deri në atë në Mérignac, në perëndim të Francës, nga ku u arratis në 1944 për t’iu bashkuar lëvizjes së rezistencës në Bordo.

Pas luftës, Odette Niles i qëndroi besnike idealit të saj komunist gjatë gjithë jetës së saj dhe luftoi për të drejtat e grave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re