Këshilli i Shtetit i Francës ka shtyrë për javën e ardhshme vendimin në rastin e xhamisë Pessac në departamentin Gironde të Francës jugperëndimore, e cila kërcënohet me mbyllje për gjoja ndjekjen e “ideologjisë selefiste”.

Më shumë se 100 besimtarë u mblodhën për të treguar mbështetjen e tyre ndaj xhamisë.

Në një deklaratë për AA, avokati mbrojtës Sefen Guez Guez tha pas një seance që zgjati më shumë se dy orë Këshilli i Shtetit tha se hetimet do të vazhdojnë deri në javën e ardhshme.

“Ne sigurisht që do ta kemi vendimin deri në fund të javës së ardhshme, veçanërisht në prag të raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale”, tha ai.

Ai tha se Ministria e Brendshme është e qartë dhe se kjo është një çështje ku bëhet gjithçka për të parandaluar takimin e muslimanëve të Pessac gjatë këtij muaji të shenjtë të Ramazanit, ndërsa asgjë në këtë rast nuk e lidh xhaminë me pretendimet për terrorizëm.

Në dekretin e 14 marsit, departamenti i Girondës argumentoi se shoqata “Rassemblement des Musulmans de Pessac” dhe presidenti i saj përhapën mesazhe në internet dhe në rrjetet sociale si Facebook dhe transmetuan shkrime nga palë të treta që “nxisin dhunë, urrejtje apo diskriminim”, duke inkurajuar “kryerjen e akteve të terrorizmit” ose “mbrojtjen e akteve të tilla”.

Guez Guez tha se ai tashmë e kishte fituar çështjen përpara gjykatës administrative të Bordo dhe shpreson se do të jetë e njëjta gjë në Paris.

Disa mbështetës që folën gjatë një tubimi të organizuar para Këshillit të Shtetit theksuan veçanërisht ligjin kundër separatizmit, i cili lejon mbylljen e objekteve të kultit dhe shpërbërjen e shoqatave.

Por, Guez Guez theksoi se Ministria e Brendshme “nuk ka arsye për të akuzuar xhaminë Pessac”.

Vendimi në pritje do të krijojë një precedent dhe një drejtim shumë të qartë, tha ai.

Ai u bëri thirrje strukturave të tjera që mund t’i nënshtrohen mbylljeve administrative në të ardhmen të kundërshtojnë vendimin, duke thënë se vendimet mund të jenë në favor të tyre.

Në një deklaratë për AA, Abdourahman Ridouane, udhëheqësi i Xhamisë Pessac, falënderoi ata që dolën për të treguar mbështetjen e tyre.

Ai foli për pasojat e ligjit kundër separatizmit, për shkak të cilit ai e konsideron veten viktimë dhe e përshkroi atë si një “kërcënim real për të drejtat dhe liritë”.

Seanca dëgjimore e mëngjesit të së mërkurës pasoi një apel që kundërshtonte pezullimin e urdhrit për mbylljen e objektit të adhurimit nga gjykata administrative e Bordeaux.

Gjykata vlerësoi se urdhri i mbylljes së përkohshme për një periudhë gjashtëmujore të lëshuar nga departamenti i Gironde-s përbën një “shkelje serioze dhe të paligjshme për lirinë e adhurimit”.
Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re