Një duzinë me emigrantë, shumica e të cilëve shqiptarë, kanë rrezikuar të mbyten në orvatje për të kaluar me gomone nga Franca në Angli. Lajmin e ka përcjellë media franceze, e cila saktësoi se gomonia 8 metra e gjatë, kishte një numër aq të madh njerëzish, saqë gjatë rrugës në det kishte nisur të përmbytej.

Në gomone, kishte një total prej 48 personash. Shumica ishin me origjinë shqiptare (45 në total) France3, duke shtuar se në bord kishte edhe fëmijë (3) e gra (5). Gomonia ishte nisur për të kaluar kanalin anglez pas mesnatës, për të evituar autoritetet kufitare. Në orët e mëngjesit (rreth orës 06:00) një telefonatë alarmoi autoritetet franceze, të cilët u informuan se motorri i gomones ishte prishur dhe 48 vetë kishin mbetur në det të hapur. Telefonata ishte kryer nga vetë emigrantët, të cilët rrezikonin të mbyteshin.

Siç raporton actu.fr, dy barka SNSM u dërguan nga Le Treport, për të shpëtuar emigrantët. Operacioni zgjati disa orë, ndërsa emigrantët më pas u morën nën kujdesin e zjarrikësve dhe shërbimeve shëndetësore. Në vendin e ngjarjes mbërriti dhe xhandarmëria, për të verifikuar identitetet e emigrantëve.

Kryebashkiaku i Le Treport, Laurent Jacques shkoi për të parë gjendjen e emigrantëve, ndërsa autoritetet i vendosën këta të fundit nëpër tenda. Një palestër (shkolle) u hap për të pritur emigrantët.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re