Një xhami në Francë ka qenë strehë e sigurt për shumë të pastrehë dhe migrantë gjatë ditëve të vështira të dimrit.

Xhamia Mantes Sud në Yvelines, rreth 50 kilometra në perëndim të kryeqytetit Paris, ka vendosur shtretër brenda xhamisë për ata që strehohen. Me mbështetjen e shoqatës “As Suffa”, ajo gjithashtu shërben ushqime për nevojtarët.

Ishwor, një migrant nepalez i cili u strehua në xhami, për AA tha se nuk do të harrojë që muslimanët i hapën dyert e tyre gjatë netëve të ftohta.

“Muslimanët na pritën. Jam shumë i lumtur që jam pritur në një vend kaq të dalluar”, tha ai.

Abdelaziz el Jaouhari, kreu i shoqatës së xhamisë, tha se xhamia u ndërtua në vitin 2015 dhe se ajo shërben si një vend adhurimi, si dhe një qendër për dije dhe për aktivitete shoqërore.

Derisa e ndërtonin xhaminë, tha Jaouhari, ata kishin parasysh rolin e xhamive gjatë epokës së Profetit Muhamed.

“Xhamitë e tij (të Profetit Muhamed) kishin tri funksione kryesore: Bashkimin e njerëzve, aftësimin e tyre për të marrë njohuri dhe sigurimin e mbështetjes sociale”, tha ai.

Kati i tretë, që do të ndërtohet, do të shërbejë si një qendër për dituri, shtoi ai.

“Ne dëshironim të ndiqnim sunetin (praktikën) e Profetit Muhamed”, tha Jaouhari.

“Ne ofrojmë strehim emergjent për të pastrehët gjatë gjithë vitit. I hapim dyert e xhamisë jo vetëm për muslimanët, por për këdo që na troket në derë”, shtoi ai.

Jaouhari tha se kanë marrë mbështetje nga shumë njerëz pasi bënë thirrje në mediat sociale, duke shtuar se njerëzit dëshirojnë të jenë vullnetarë në xhami për të ndihmuar njerëzit në nevojë, ndërsa të tjerët kanë dërguar materiale për ndihmë.

Aisha Bendoukha, një nga vullnetaret me origjinë algjeriane, tha se ajo vjen në xhami çdo të shtunë si vullnetare dhe ndihmon në punën bamirëse.

Duke theksuar se shërbejnë vakte për më shumë se 150 njerëz në ditë, ajo tha: “Kështu e ndryshojmë botën çdo ditë”.

Khedima Kadgam, një tjetër vullnetare, tha se numri i vullnetarëve në xhami është në rritje, duke shtuar: “Ideja për të qenë të dobishëm për dikë na jep forcë dhe motivim”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re