Papa Françesku u ka bërë thirrje Izraelit dhe palestinezëve që të hyjnë në dialog në kërkim të paqes, duke shprehur keqardhje për valën e fundit të dhunës në rajon.

Duke folur pas lutjeve të së dielës, Papa tha se ishte thellësisht i trishtuar nga lajmi i palestinezëve të vrarë gjatë operacioneve izraelite si dhe vdekjes së hebrenjve izraelitë në të shtënat në sinagogë të premten.

“Me pikëllim të madh dëgjoj lajmin nga Toka e Shenjtë… Spiralja e vdekjes që rritet përditë nuk bën gjë tjetër veçse vret besimin e vogël që ekziston mes këtyre dy popujve. I bëj thirrje këtyre dy qeverive dhe komunitetit ndërkombëtar dhe u kërkoj atyre që të gjejnë menjëherë, pa vonesë, një rrugë tjetër që do të përfshijë dialogun dhe kërkimin e sinqertë të paqes”, tha Papa.

Të paktën 32 palestinezë (përfshirë sulmues, militantë dhe civilë) janë vrarë që nga fillimi i vitit, sipas një raporti të AFP-së bazuar në burime zyrtare.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua për një përgjigje “të fortë, të shpejtë dhe të saktë” nga Izraeli pas dy sulmeve të kryera të premten dhe dje, të shtunën, nga dy palestinezë të Jerusalemit Lindor.

Të premten mbrëma, një palestinez 21-vjeçar hapi zjarr ndaj kalimtarëve pranë një sinagoge në lagjen e vendbanimeve izraelite Neve Yaakov, duke vrarë 7 persona, përpara se të qëllohej nga policia. Të shtunën në mëngjes, një palestinez 13-vjeçar hapi zjarr dhe plagosi dy izraelitë në Siloam, Jerusalemi Lindor.

2022 ishte viti më vdekjeprurës në Bregun Perëndimor që nga fundi i Intifadës së dytë (kryengritje palestineze nga viti 2000 deri në 2005). Sipas një numërimi të AFP-së, konflikti vrau më shumë se 200 palestinezë dhe të paktën 26 izraelitë vitin e kaluar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re