Përfundoi pak më parë, në Vatikan, shërbesa e të Dielës së Palmave të katolikëve. Ceremonia fetare u drejtua nga Papa Françesku, i cili dje doli nga spitali Gemelli në Romë. Papa, ende pak i sforcuar, falënderoi ata që u lutën për shëndetin e tij. “Faleminderit për mbështetjen dhe lutjet tuaja, të cilat janë shtuar gjatë ditëve të fundit. Falenderoj popullin e Romës dhe pelegrinët”, tha Papa në sheshin e Shën Pjetrit.

“Duhet të jemi pranë të përbuzurve, me të gjithë të braktisurit”, tha Françesku, i cili bekoi besimtarët matanë sheshit nga një makinë e njohur si “papa mobile”.

“Një javë më parë, një i pastrehë gjerman vdiq, nën kolonadën e këtij sheshi, i vetëm dhe i braktisur. Për secilin prej nesh, ai njeri është Jezusi. Ka kaq shumë njerëz që kanë nevojë për ne, ka kaq shumë të braktisur. Edhe unë kam nevojë për përkëdheljen e Jezusit, për ta ndjerë pranë meje. Për këtë arsye e vizitoj dhe e kërkoj mes të braktisurve, mes atyre që nuk kanë askënd”, tha Papa në mesazhin e tij. /tesheshi.com/

 

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re