“Murgeshat dhe priftërinjtë shikojnë pornografi në internet”, pranoi Papa Françesku teksa fliste me studentët e teologjisë në Romë, sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA.

Në fjalën e tij, Papa 85-vjeçar theksoi se si laikët – gra dhe burra – dhe ata që i shërbejnë Kishës bëjnë një mëkat kur shikojnë pornografi në internet.

“Është një mëkat që bëjnë shumë njerëz, shumë burra dhe shumë gra dhe gjithashtu priftërinj dhe murgesha. Është Djalli ai që i cyt. Dhe nuk po i referohem vetëm pornografisë që është vepër penale, siç është ajo që përfshin abuzimin e fëmijëve, e cila tashmë konsiderohet e degjeneruar. Por (po i referohem) pornografisë që konsiderohet disi ‘normale’”, tha Primati i Kishës Katolike.

Papa Françesku u bëri thirrje studentëve të teologjisë dhe shërbëtorëve të nesërm të Kishës që të jenë të kujdesshëm me pornografinë në internet dhe e mbylli fjalimin e tij duke thënë: “Të dashur vëllezër, kini kujdes me të”. Sipas Katekizmit të Kishës Katolike, murgeshave dhe priftërinjve u ndalohet shikimi i materialeve pornografike pasi një imazh me përmbajtje seksuale është një “fyerje kundër dëlirësisë”.

Në vitin 2020, një “like” nga llogaria zyrtare e Papa Françeskut në Instagram e një fotoje provokuese të një modeleje të re nga Brazili shkaktoi interes të madh tek përdoruesit në rrjetet sociale, ndërsa filloi një debat nëse vetë Papa bëri “like”-un e famshmë në foton zbuluese të bukuroshes braziliane Natalia Garibotto, e cila është një modele me rroba banje që zakonisht pozon ose gjysmë e zhveshur.

Në mesin e nëntorit 2020, Natalia Garibotto vuri re “like”-un nga llogaria zyrtare e Papës në Instagram në një foto zbuluese të saj, megjithatë, shumë shpejt e njëjta llogari e “ndryshoi” foton, duke krijuar pyetje të arsyeshme për përdoruesit.

Pas publicitetit që mori çështja, braziliania, i cili ka më shumë se 3 milionë ndjekës, tha: “Të paktën do të shkoj në Parajsë”. Në të njëjtën kohë, përfaqësuesi i Garibottos pohoi se modelja “ka marrë bekimin zyrtar të Papës”. Megjithatë, llogaritë e Papa Françeskut në rrjetet sociale nuk menaxhohen nga ai, por nga një grup bashkëpunëtorësh të tij. Pas ngjarjes së pazakontë, zyra e shtypit e Vatikanit njoftoi se për këtë çështje do të zhvillohej një hetim dhe njëkohësisht u kërkuan shpjegime nga Instagrami.

Papa Françesku është shumë i popullarizuar në rrjetet sociale me llogarinë e tij zyrtare në Instagram (franciscus) me 7.4 milionë ndjekës, ndërsa në Twitter Papa ndiqet nga 18.8 milionë përdorues.

Në fjalimin e tij të fundit para studentëve të Teologjisë në Romë, Papa iu referua marrëdhënies së tij me teknologjinë dhe vështirësive me të cilat përballet me mjetet e reja dixhitale. Ai tregoi para të pranishmëve se kur u shugurua në vendlindjen e tij në Argjentinë, i dhanë një celular si dhuratë, por e përdori vetëm për të telefonuar motrën e tij dhe ia ktheu menjëherë. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re