Papa Françesku mbajti një fjalim të martën, ditën e parë të vizitës së tij në Kazakistan, në të cilin ai vlerësoi multilateralizmin përballë logjikës së “blloqeve”, duke paralajmëruar rrezikun e konflikteve të reja mes tensioneve të lidhura me luftën në Ukrainë.

“Po vij në kohën e një lufte të çmendur dhe tragjike që u shkaktua nga pushtimi i Ukrainës dhe në të njëjtën kohë epoka jonë kërcënohet nga konflikte të tjera. Erdha këtu për të vënë në dukje thirrjen e kaq shumë njerëzve që kërkojnë paqe”, tha Papa në fjalimin e tij të parë të mbajtur para autoriteteve kazake dhe trupit diplomatik në kryeqytetin Nursultan, raportoi AFP.

“Duhet të shmangim theksimin e rivalitetit, si dhe forcimin e blloqeve kundërshtare. Ne kemi nevojë për liderë që në nivel ndërkombëtar u mundësojnë njerëzve të kuptojnë njëri-tjetrin dhe të dialogojnë dhe të gjenerojnë një ‘frymë të re të Helsinkit’”, shtoi ai, duke aluduar në marrëveshjet e vitit 1975, të cilat u nënshkruan në fund të Konferencës së Helsinkit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin. në Europë. Me ta, pas disa dekadash të Luftës së Ftohtë, u konfirmua detentimi midis Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik.

Dialog me të gjithë

Papa beson se “multilateralizmi duhet të forcohet”. Ai këmbënguli në nevojën e dialogut të të gjithëve “me të gjithë”, duke aluduar në mënyrë implicite për Rusinë.

Selia e Shenjtë është përpjekur të mbajë kontakte diplomatike me Moskën që nga shkurti, duke dënuar luftën “mizore dhe të pakuptimtë”.

Kreu i Vatikanit vlerësoi forcën e Kazakistanit, një vend ku takohen grupe të shumta etnike dhe që ndodhet në “udhëkryqin e qendrave të rëndësishme gjeopolitike“. Papa e quajti vendin një “laborator unik multikulturor”.

Francesku përshëndeti faktin se “Kazakistani hoqi dorë nga armët bërthamore” dhe vlerësoi “politikën energjetike dhe mjedisore të vendit që synon reduktimin e emetimeve të gazeve serrë, dialogun ndërfetar dhe afirmimin e vlerës së jetës njerëzore përmes heqjes së dënimit me vdekje”, e cila u miratua në janar 2021.

Papa iu referua gjithashtu “procesit të demokratizimit, qëllimi i të cilit është forcimi i pushtetit të parlamentit dhe autoriteteve lokale”. /tesheshi.com/ 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re