Papa Françesku ka lënë të kuptohet se ai do të ishte i hapur që Kisha Katolike të bekonte çiftet e të njëjtit seks.

Kreu i Kishës Katolike po i përgjigjej një grupi kardinalësh që i kërkuan që të ishte i qartë për këtë çështje.

Ai tha se çdo kërkesë për bekim, pra një lutje në favor të personit që e kërkon atë, duhet të trajtohet me “bamirësi baritore”. Ai shtoi se “ne nuk mund të jemi gjyqtarë që vetëm mohojmë, refuzojmë dhe përjashtojmë”.

Megjithatë, Françesku nuk specifikoi se çfarë do të bekohet, bashkimi apo individi. Ai foli në përgjithësi për ata që kërkojnë bekim, pra ndihmë nga Zoti që të jetojnë më mirë. Këtë, siç tha Papa, askush nuk duhet t’i mohojë.

Ai tha gjithashtu se martesa, siç kuptohet nga Kisha, është një “bashkim midis një burri dhe një gruaje”.

Kërkesa ishte një nga disa që iu dërguan Papës përpara mbledhjes globale për të diskutuar të ardhmen e Kishës, e cila fillon në Vatikan të mërkurën.

BBC thekson se peshkopët në vende të tilla si Belgjika dhe Gjermania kanë filluar të lejojnë priftërinjtë të bekojnë çiftet e të njëjtit seks, por pozicioni i autoriteteve të kishës ka mbetur i paqartë.

Vetëm dy vjet më parë, në pranverën e vitit 2021, Papa miratoi një dekret të zyrës doktrinare të Vatikanit që ndalonte priftërinjtë të bekonin bashkimet e të njëjtit seks, si akte mëkatare që nuk mund të bekohen. Papa Françesku ka thënë se homoseksualiteti nuk është krim, por gjithsesi e konsideron mëkat. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re