Kreu i Kishës Katolike Romake, Papa Françesku, ka rënë dakord se përpjekja për të eliminuar kulturën indigjene në Kanada përmes sistemit të shkollave rezidenciale të drejtuar nga kisha përbën gjenocid kulturor, raporton Anadolia Agency.

Duke iu drejtuar gazetarëve gjatë fluturimit nga Kanadaja, Papa tha se gjatë vizitës së tij në atë vend nuk e përdori termin “gjenocid kulturor” sepse nuk i kishte shkuar në mendje.

Komisioni i Kanadasë për të Vërtetën dhe Pajtimin zbuloi në vitin 2015 se largimi me forcë i fëmijëve indigjenë nga shtëpitë e tyre dhe vendosja e tyre në shkolla për asimilim përbënte “gjenocid kulturor”.

Përafërsisht 150,000 fëmijë nga fundi i viteve 1800 deri në vitet 1970 iu nënshtruan një politike asimilimi të detyruar, që synonte t’i bënte ata plotësisht të krishterë dhe kanadezë. Abuzimi fizik dhe seksual ishte i përhapur në shkolla dhe fëmijët ngacmoheshin sepse flisnin gjuhën e tyre amtare.

Një falje publike

“Është e vërtetë që nuk e kam përdorur atë term sepse nuk më ka shkuar në mendje, por e kam përshkruar gjenocidin, apo jo? Kërkova falje, kërkova falje për këtë akt, që ishte gjenocid”, tha Papa.

Ai tha se ka dënuar vazhdimisht një sistem që ka thyer lidhjet familjare dhe është përpjekur të imponojë besime të reja kulturore mbi brezat e popujve indigjenë.

Të hënën, Papa kërkoi falje publike dhe foli për shkatërrim kulturor, por nuk përdori termin gjenocid kulturor, siç kishin shpresuar dhe pritur të mbijetuarit e shkollave të kishës.

 “Është një fjalë teknike, gjenocid. Nuk e kam përdorur sepse nuk më ka shkuar në mendje, por e kam përshkruar dhe është e vërtetë që është gjenocid”, tha Papa. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re