Papa Françesku ka dënuar kulturën e talljes së tipit trupor që është e zakonshme tek të rinjtë, duke pranuar se dhe ai bullizoi dikë kur ishte djalë i vogël në Argjentinë.

Françesku pati një diskutim në internet me studentë të universitetit në Azi.

Gjatë diskutimit, një grua nga India i tha atij se kur ishte adoleshente, ndihej e turpëruar dhe inferiore ndaj shokëve të klasës për shkak të peshës dhe formës së saj trupore dhe se kishte përjetuar bullizëm.

“Pavarësisht nëse dikush është i shëndoshë, i hollë, i shkurtër, i gjatë, e rëndësishme është të jetosh në harmoni, në harmoni me shpirtin tënd… Çdo burrë, çdo grua ka bukurinë e vet dhe ne vërtet duhet të mësojmë se si ta njohim atë”, tha Papa duke iu përgjigjur gruas.

Gruaja foli edhe për presionet e ushtruara përmes rrjeteve sociale ndërsa Papa tregoi një histori personale.

“Më kujtohet një shoku ynë në shkollë që ishte pak i shëndoshë dhe ne talleshim me të, guxoj të them se e ngacmuam, një herë e shtymë dhe ai u rrëzua”, tha Françesku. “Kur u ktheva në shtëpi, babai im mësoi për këtë dhe më çoi në shtëpinë e këtij shoku të klasës për të kërkuar falje”.

Kreu 86-vjeçar i kishës katolike romake tha se u rilidh me shokun e tij vite më vonë dhe mësoi se ishte bërë një pastor ungjillor. Ky njeri ka vdekur së fundmi.

Në diskutimin e tij me studentët, Françesku përmendi edhe operacionet plastike.

“Kirurgjia plastike nuk shërben për asnjë qëllim, sepse bukuria që sajon përfundimisht do të zbehet”, tha ai, duke cituar një thënie të njohur të aktores italiane Anna Magnani, e cila tha: “Ju lutem, mos i retushoni rrudhat e mia. M’u desh kaq shumë kohë për t’i fituar ato.” /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re