Papa Françesku hoqi të martën drejtimin e organizatës bamirëse ndërkombëtare të Vatikanit, Caritas Internationalis, duke emëruar udhëheqjen e përkohshme në të njëjtën kohë kur një inspektim nga një grup i jashtëm auditimi gjeti probleme menaxhimi dhe etike.

Në njoftimin përkatës të Vatikanit, thuhet se nga kontrolli i kryer nuk janë konstatuar prova për keqmenaxhimi financiar apo sjellje të pahijshme seksuale. Megjithatë, u shfaqën çështje të tjera, me “mangësi reale” të gjetura në menaxhim dhe “dëmtim të rëndë të shpirtit të ekipit dhe moralit të stafit”.

Vendimi i Françeskut largoi sekretarin e përgjithshëm të Caritas Internationalis, Alucius John, i cili u zgjodh në një votim të diskutueshëm në vitin 2019, si dhe anëtarët e ekipit të udhëheqjes dhe qeverisjes. Ndryshimet nuk prekin udhëheqjen në asnjë nga 162 organizatat kombëtare të zhvillimit dhe ndihmës që përbëjnë konfederatën globale të Caritas.

Caritas Internationalis është një nga organizatat bamirëse kryesore të Selisë së Shenjtë dhe vepron si një ombrellë globale për federatat kombëtare dhe rajonale aktive në më shumë se 200 vende. Sekretariati me bazë në Romë raportoi të ardhura prej rreth 5.1 milionë euro në vitin 2020 dhe shpenzime prej 4.4 milionë euro.

John, i cili është me origjinë nga India, u soll në strukturën e menaxhimit të Caritas Internationalis si kreu i zhvillimit në 2013 nga sekretari i tij i mëparshëm i përgjithshëm, Michel Roy, i ardhur nga federata franceze Caritas e njohur si Secours Catholique. Kur mandati i Roy-t mbaroi, John kandidoi për postin e sekretarit të përgjithshëm dhe fitoi, pasi pretendentët e tjerë u tërhoqën.

Një ish-punonjës i Caritas-it, i cili bashkëpunoi me inspektorët e jashtëm, thuhet se tregoi raste të frikësimit dhe keqmenaxhimit nga John, veçanërisht në trajtimin e tij të pasojave nga një skandal abuzimi seksual në operacionet e organizatës në Republikën e Afrikës Qendrore. Ish-punonjësi foli në kushte anonimiteti, duke përmendur frikën e hakmarrjes.

Francesku emëroi Pier Francesco Pinelli, një konsulent organizativ i cili kishte marrë pjesë në vlerësimin e jashtëm, si administrator tipërkohshëm të Caritas Internationalis dhe do të drejtojë organizatën deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja për emërimin e sekretarit të përgjithshëm në 2023. /tesheshi.com/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re