Raportohet se Papa Françesku po shërohet pas një operacioni në zorrë që iu nënshtrua dje të mërkurën në spitalin “Agostino Gemelli” në Romë.

Por raportohet gjithashtu se ai ka “thyer protokollin”, siç e ka zakon dhe ka kërkuar nga kolegët që t’i japin celularin. Më pas, ai telefonoi nënën e vogëlushit Miguel Angel, fëmijës që kishte pagëzuar dy muaj më parë në të njëjtin spital, gjatë shtrimit të tij të mëparshëm, për shkak të bronkitit akut. Djali i vogël, me origjinë peruane, u shtrua në poliklinikën katolike pasi ra nga sedilja e fëmijës.

Në mesditë, nëna e Miguel Ángel kishte shkuar në spitalin “Gemelli” për të falënderuar Papa Françeskun, për t’i uruar shërim të shpejtë dhe për t’i lënë fotot e familjes së saj me dedikimin “të rifitosh shpejt të gjitha forcat”. “Do të donim të kalonim një pasdite së bashku në mënyrë që të njihni më mirë familjen tonë sepse tani jeni pjesë e jetës sonë”, ka shkruar nëna latino-amerikane.

Ndonëse nuk mundi të takonte Papa Françeskun, kreu i Kishës Katolike Romake e telefonoi menjëherë më pas për ta falënderuar dhe për t’i premtuar se, duke përjashtuar të papriturat, ata do të takoheshin sërish së shpejti. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re