Gjykata Administrative e Tiranës ka pushuar çështjen e ngritur nga Fryma e Re Demokratike, që kundërshton lirimin e ambienteve në pronësi të Bashkisë së Tiranës.

FRD ka kërkuar nëpërmjet deklaratave publike dhe komunikimit shkresor që Bashkia Tiranë të mos ndërmarrë asnjë veprim për lirimin e ambienteve në pronësi të saj, deri në shqyrtimin e kërkesës për marrjen e masës së sigurimit nga gjykata administrative e shkallës së parë, Tiranë.

Në seancën e sotme, FRD ndonëse kishte kërkuar me ngul që të pezullonte vendimin e Bashkisë së Tiranës për lirimin e hapësirave, para gjykatës pa asnjë argument ligjor ka kërkuar shtyrjen e seancës së sotme.

Pas tërheqjes së gjykatës për marrjen e një vendimi, Gjykata Administrative nuk e pranoi kërkesën e FRD, pasi mungon baza ligjore për një kërkesë të tillë.

Duket qartë që nga kërkesat e paraqitura para gjykatës për shtyrjen e seancës gjyqësore dhe më pas heqjen dorë nga kërkesa për marrjen e sigurimit, Kryetari i Frymës së Re Demokratike dhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, kanë humbur betejën ligjore me Bashkinë e Tiranës. Në përfundim, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, Tiranë, vendosi pushimin e gjykimit të çështjes.

Siç duket, Presidenti i Republikës është i përgatitur për beteja dhe konfrontime fizike, por kurrsesi për beteja ligjore në respektim të shtetit të së drejtës.

Pak ditë më përpara, Bashkia e Tiranë kërkoi nga FRD lirimin e ambienteve në pronësi të saj, pas përfundimit të kontratës dhe qenien në kushtet ligjore për të mos përfituar ligjërisht të drejtën për mbajtjen e këtyre zyrave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re