Athina zyrtare ka reaguar pas rrëzimit të kërkesës së Fredi Belerit për leje të posaçme, në mënyrë që të mund të betohej si kryebashkiak i Himarës.

 

Në një reagim zyrtar, Ministria e Jashtme greke e konsideron këtë vendim si privim të Belerit nga betimi si kryebashkiak, ndërsa thekson se ai ende nuk është dënuar me vendim të formës së prerë.

 

Në reagim kërkohet që Shqipëria të respektojë ligjin dhe të drejtat e tij deri në zhvillimin e gjyqit.

 

“Kërkesa e kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleris, për të marrë një leje të posaçme, në mënyrë që të jetë pjesëmarrës nesër në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Bashkiak, si dhe të bëjë betimin dhe të marrë zyrtarisht detyrën, u rrëzua sot. Ky refuzim tregon tani, pa asnjë dyshim, se qëllimi i autoriteteve shqiptare është ta privojnë atë, pa një dënim përfundimtar dhe pa u akuzuar, nga detyra e kryetarit të Bashkisë, në të cilën ai u zgjodh në mënyrë demokratike nga qytetarët e zonës. Si kandidate për anëtarësim në familjen europiane, Shqipëria duhet të respektojë shtetin e së drejtës dhe të drejtën e pafajësisë deri në zhvillimin e gjyqit” thuhet në reagimin e ministrisë së Jashtme greke.

 

Gjykata e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit rrëzoi kërkesën për leje të përkohshme me argumentin ligjor se ajo jepet vetëm në rast vdekje, martese apo provimi.

 

Fredi Beleri është i arrestuar dhe në burg për akuzën e shitblerjes së votës. Që ai të ushtrojë detyrën për të cilën u votëbesua në 14 maj, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” duhet të betohet, në të kundërt ai nuk çertifikohet si kryebashkiak i Himarës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re