Ambasadorja e Greqisë në Shqipëri, Kostandina Kamitci ka reaguar ashpër në lidhje me moslejimin e Fredi Belerit për të marrë pjesë në konstituimin e këshillit bashkiak të Himarës. Sipas saj, ky është një regres i madh dhe goditje për shtetin e së drejtës.
Diplomatja greke u shpreh për mediat se Belerit iu mohua e drejta e tij për të qenë pjesë e kësaj ceremonie, ndonëse nuk është dënuar dhe ndaj tij nuk ka asnjë akuzë.
“Mungesa e zotit Beleri sot në mbledhjen e parë të konstituimit, përbën një goditje të madhe të shtetit të së drejtës. Do të ishte regres i madh që Shqipëria në fushën e shtetit të së drejtës, që të humbasë të drejtën e kryerjes së detyrave të tij një kryetar bashkie, zgjedhur në mënyrë demokratike, ndaj të cilit nuk ka akuza, apo dhe nuk është dënuar. BE është komunitet parimesh që duhet t’i zbatojë çdo vend që do të bëhet anëtar i tij”, tha ambasadorja nga Himara, e cila ndoqi nga afër këtë ceremoni, ku nuk munguan as tensionet.