Organizata Freedom House bëri të ditur se Shqipëria ka shënuar rënie në nivelin e demokracisë gjatë vitit 2019. Në bazë të raportit vjetor “Vendet në Tranzicion” që kjo organizate prezanton, së bashku me Shqiperinë vende që kanë bërë hapa pas në nivelin e demokracisë janë edhe Mali i Zi dhe Serbia.

Shqipëria që edhe këtë vit është në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion, shënoi rënie në qeverisjen demokratike dhe procesin zgjedhor. Në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti, Shqipëria nga 3.89 pikë që kishte një vit më herët, këtë radhë kishte 3.82 pikë.

“Kjo kishte të bënte me një numër faktorësh, përfshirë bojkotimin e opozitës dhe konfliktin politik rreth zgjedhjeve që i la votuesit pa një zgjedhje të vërtetë përsa i takon votës”, thotë analisti Smeltzer.

Prirja për bojkot, u vu re në shumë vende.

“Nga Tirana në Tbilisi, ata që janë në pushtet, nuk janë të interesuar që ta bëjnë parlamentin një vend ku diskutohet. Në fakt, ata janë gjithnjë e më pak të interesuar për diskutim”, thuhet në raport.

Gjergji Vurmo, drejtor programi i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë, është autor i kapitullit për Shqipërinë. Ai thotë se opozita parlamentare në fillim të vitit të shkuar u përball praktikisht me një situatë ku realisht nuk mund të korrigjonte dot qeverisjen.

“Pavarësisht kësaj situate me të cilën u përball opozita vitin e shkuar, unë personalisht mendoj se do të ishte më mirë qëndrimi brenda institucioneve”, tha ai për Zërin e Amerikës.

Pas bojkotimit, vazhduan një sërë përplasjesh institucionale…

“…duke filluar mes presidentit, parlamentit dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Më pas kemi procedurën për shkarkimin e presidentit dhe rreth fundit të vitit të shkuar, kemi edhe përplasjet mes presidentit, parlamentit lidhur me emërimin e gjyqtarëve të gjykatës

Të gjitha këto, thotë ai kontribuuan në rënien e nivelit të demokracisë.

Zoti Vurmo thotë se mungesa e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese, i thelloi edhe më tej problemet. Ka shumë aspekte të demokracisë që nuk rregullohen thjesht me fitoren e zgjedhjeve dhe sigurimin e shumicës.

“Janë pikërisht këto arsye të cilat kanë shtyrë demokracitë liberale të ndërtojnë mekanizmat e kontrollit dhe balancës të pushteteve. Është pikërisht kjo arsyeja e ekzistencës së institucioneve të pavarura të cilat mbrojnë edhe kushtetueshmërinë dhe pritshmërinë dhe performancën e institucioneve dhe të pushteteve”.

Zoti Smeltzer thotë se mekanizmi i kontrolleve dhe balancave në Shqipëri, nuk është efektiv për të parandaluar këto konflikte.

Megjithëse Shqipëria është në të njëjtën kategori zoti Smeltzer thotë se është gjithsesi shqetësuese të shohësh një trajektore negative apo të dobët demokratike.

“Pra shqetësimi nuk është edhe aq se është i këtij apo atij lloj regjimi, por në ç’drejtim po shkon vendi: a po ndjek një trajektore më demokratike apo po bëhet gjithnjë e më pak demokratik”, tha ai.

Dhe zoti Vurmo thotë që megjithëse ka vende të tjera që janë në një nivel më të ulët, pas 30 vjetësh tranzicion, shqiptarët duan të jenë më mirë, pasi kërkesat e tyre janë rritur.

“Thjesht fakti që në Shqipëri shumica e të rinjve do të donin të linin vendin e tyre, thjesht për shkak të faktit se ata nuk shohin më asnjë shpresë në mundësinë që Shqipëria të shndërrohet thelbësisht dhe rrënjësisht në një demokraci funksionale, do të thoja që është një fakt ulëritës”, thotë ai./ Burimi: VOA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re