Një historian turk po luan rolin e inxhinierit, duke paralajmëruar se Haghia Sophia, ish-katedrelja e famshme ortodokse, simbol i Bizantit, blerë më pas nga osmanët e shndërruar në xhami, mund të shembet.

Madje Ilber Ortayli po promovohet nga media greke si paralajmërues i një të keqeje që mund t’i ndodhë objektkultit gjigand e impozant, si pasojë e masës së madhe njerëzore që hyn aty tashmë, besimtarë apo turistë, që kur Erdogan e riktheu në xhami pas vitesh muze.

Ortayli, me shkrimin e tij të fundit në gazetën Ḥurriyet me titull: “Ta mbrojmë Hagia Sophia”, pretendon se kanalet nëntokësore, rrjetet e kullimit dhe sistemi i ventilimit nuk janë mjaftueshëm të forta për të akomoduar një numër kaq të madh vizitorësh. “Edhe një audiencë vjetore prej 20-30 mijë njerëz konsiderohet e madhe për këtë vend”, tha ai.

Sipas këtij historian, Hagia Sophia është tempulli më i vjetër i njerëzimit që ende qëndron në vendin e tij dhe ruhet në strukturën e tij origjinale. “Ka kisha që janë më të vjetra se Hagia Sophia në ndryshimin e formës dhe vëllimit, por nuk kanë një rol udhëheqës në historinë e artit dhe nga pikëpamja teknike nuk mund të krahasohen me inxhinierinë e Shën Sofisë”, thotë ai.

Sipas tij, me përjashtim të mauzoleumeve, tjegullave dhe katër minareve që janë shtesa të mëvonshme, me kalimin e kohës nuk ka ekzistuar asnjë ndryshim tjetër që do të errësonte formën origjinale të Haghia Sophia-s.

Ai jep alarmin për kanalet nëntokësore që kalojnë poshtë monumentit, të cilat duhet të riparohen, pastrohen dhe restaurohen menjëherë për të shmangur problemet me qëndrueshmërinë e monumentit.

Shkrimi i përgjigjet edhe kërkesës për ndërtimin e objekteve të reja sanitare (WC) dhe lavamanëve, në shërbim të besimtarëve muslimanë. “Nëse kushdo që hyn përdor çezmat dhe tualetet, si do të menaxhohen ujërat e zeza poshtë monumentit? Kjo duhet marrë seriozisht”, thekson Ortayli, i cili është profesor historie në Universitetin Galatasaray në Stamboll dhe Universitetin Bilkent në Ankara, por që në finale nuk është inxhinier.

Sipas ministrit turk të turizmit dhe kulturës, Mehmet Nuri Ersoy, Hagia Sophia ka pritur 21 milionë vizitorë që kur u shndërrua në xhami tre vjet më parë. /tesheshi.com/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re