Një xhami e planifikuar për t’u ndërtuar në Borsh, në anë të rrugës, së cilës së fundi i është refuzuar leja nga Bashkia Himarë, do ishte objekt sulmi nga një media himariote pro greke, nën pretendimin se më anë të këtij objekti kulti islam do tentohet islamizimi i zonës.

“Është një investim, qëllimi i vetëm i të cilit është islamizimi i komunitetit lokal të krishterë në zemër të Himarës. Në fshatin Borsh, numri i muslimanëve është shumë i vogël dhe për këtë nuk ka asnjë komunitet të organizuar musliman dhe nuk ka nevojë për një imam…”, shkruan ndër të tjera me theks konspirativ Himara.gr.

“Diçka që ngre pikëpyetje është se edhe pse në kalanë e Sopotit ka një xhami të vjetër, në vend që të rinovohej për t’u rihapur, u ble një truall për të ndërtuar një të re. Kjo xhami e veçantë është ndërtuar gjatë pushtimit turk dhe pothuajse është shembur pasi nuk ka funksionuar me shekuj, kjo për shkak se vendasit janë në masë dërrmuese të krishterë ortodoksë”, thuhet nga kjo faqe.

Më pas kalohet në planin politik, duke thënë se në listën e PS-së shumica e kandidatëve për këshilltarë bashkiakë janë muslimanë, duke u aluduar se janë lebër.

“Lista e dorëzuar nga kryetari në komisionin zgjedhor për zgjedhjet e ardhshme komunale përfshin 19 persona si kandidatë për këshilltarë bashkiakë, 10 prej tyre janë shqipfolës muslimanë. Pjesa më e madhe e tyre janë kolonë që vijnë nga fshatrat shqipfolëse muslimane që ndodhen në rajonin lindor(…) dhe që me ndarjen e fundit administrative i janë bashkuar Himarës.

Të gjithë himariotët i detyrohen zgjedhjeve të ardhshme bashkiake t’u japin një mesazh kumbues të gjithë atyre që duan të falsifikojnë historinë, kulturën, fenë dhe pronën tonë”, shkruhet në këtë media.

Për këtë që shkruan Himara.gr, pason media greke, duke shkruar: “Ankesa nga Vorio Epiri: islamistët duan të ndërtojnë një xhami në fshatin Borssh të Himarës.

Qëllimi i tij ekskluziv është islamizimi i komunitetit lokal të krishterë”.

 Një sqarim i detyruar

Borshi është në Bashkinë Himarë, por nuk është ngushtësisht Himarë, si kështjellë filogreqizmi të ushqyer e mbajtur gjallë nga ambiciet nacionaliste greke me projekte vorioepirote.

Aty nuk ka minoritet të pastër grek, gjë që e thonë nën zë dhe vetë minoritarët e jugut të Shqipërisë. Madje këta të fundit e kanë të qartë që nuk janë në tokat e tyre, aq më pak në trojet e tyre etnike, gjë që i detyron t’i kërkojnë shtetit shqiptar që të mos njohë kadastrat osmane, pasi në këto të fundit del në pah fakti se kanë ndërtuar shtëpi e zotërojnë prona mbi toka vakëf apo me pronarë bejlerë të Gjirokastrës e Delvinës.

Madje një zyrtar minoritar nga Saranda, pjesë e grupit të studimit të Bankës Botërore mbi pronat e Bregut në vitin 2010, do thoshte në rrethe të ngushta se nga Borshi e deri në Konispol shumë toka ishin prona të Komunitetit Musliman.

Në Borsh, xhamia nuk ndërtohet për ndonjë synim ç’krishtërimi, por për t’ju ofruar një mundësi atyre që duan t’i falen Zotit në atë vend, të cilët e ndjejnë veten muslimanë, apo atyre dhjetra apo qindra muslimanëve që kalojnë aty pari, sidomos në kohë sezoni turistik e që nuk kanë ku të ushtrojnë besimin e tyre.

Xhamia historike mbi Borsh ka qenë xhami garnizoni e jo për popullatë. Ndaj dhe është në majë të asaj kodre, duke qenë e mbetur vlerë monumentale fetare pa mundësi praktike.

Çështja është tejet e thjeshtë, normale dhe me natyrshmëri logjike, deri pa u futur në hullitë e qasjeve konspirative greke e filogreke, të cilat ngjajnë dhe qesharake. Nuk është faji i xhamive pse historikisht ekziston, kudo e në çdo vend, madje dhe kohë, trendi që nga Krishtërimi(si dhe besimet e tjera) kalohet në Islam e jo e kundërta. Nuk është çështja xhamish, por zemrash dhe mendjesh! /tesheshi.com/  

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re