Statistikisht, dy të tretat e gjyqtarëve dhe prokurorëve të sistemit të drejtësisë nuk kanë kaluar ende në vetting, ndërkohë që ky proces ka nisur dy vite më parë.

Sipas përditësimit të fundit të të dhënave 257 magjistratë, gjyqtarë, prokurorë dhe ndihmësa ligjorë kanë mbaruar deri tani filtrimin në shkallën e parë të vettingut, ndërsa janë në pritje të këtij procesi dhe 550 të tjerë.

Procesi, i cili po kontrollon karrierën, integritetin dhe pasurinë e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka nisur dhe vijuar me hapa të ngadalta, duke u cilësuar së fundmi nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, si pengesë për plotësimin e vakancave dhe formimin e organeve të drejtësisë.

Statistikat e deritanishme tregojnë një numër më të lartë të gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë konfirmuar në detyrë në raport me ata që janë larguar nga sistemi.

98 magjistratë janë konstatuar me probleme, kryesisht me pasuritë për të cilët Komisioni i Pavarur i Kualifikuar ka vendosur largimin nga sistemi. Ndërsa kanë kaluar me sukses shkallën e parë 108 magjistratë, shumica e të cilëve presin verdiktin final nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, pasi vendimi është ankimuar nga komisioneri publik.

Gjithashtu Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka vendosur vetëm në një rast pezullimin nga detyra për një periudhë -vjeçare, ndërsa për 17 magjistratë procesi ka përfunduar pa një vendim përfundimtar. Në 33 raste është vendosur ndërprerja e procesit pa një vendim. Ndërsa në 8 raste është vendosur pushimi i vettingut.

 

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re