Fshati Bardhoc zyrtarisht është me një shkollë, kopsht dhe qendër shëndetësore të re.

Ceremonia e inagurimit të tre objekteve u zhvillua sot në fshatin Bardhoc, ku morën pjesë kryetari i bashkisë Kukës, Z.Bashkim Shehu, kryetari i komunës Prizren, Z.Mytaher Haskuka, deputeti i Parlamentit të Kosovës, Z.Haxhi Avdyli, ish deputetja e Parlamentit të Shqipërisë, Zj.Albana Vokshi. kryetari i Këshillit të Qarkut Kukës, Z.Abedin Oruçi, drejtori i DAR Kukës, Z.Skënder Ahmeti si dhe mësues, nxënës e banorë të fshatit Bardhoc.

Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari Shehu, në emër të banorëve të Kukësit falenderoi përzemërsisht donatorin e këtij projekti, Z.Arafati Abazaj, President i kompanisë “Abazaj SHPK”, për këtë dhuratë që po u bën banorëve të kësaj zone, si shenjë falenderimi për mikpritjen dhe bujarinë e treguar 20 vite më parë, gjatë “Eksodit ’99”. Me këtë rast kryetari Shehu, Z.Abazaj, në emër të bashkisë Kukës i dha edhe një Mirënjohje me motivacionin “Për humanizmin dhe kontributin e dhënë në ndërtimin e shkollës, kopshtit dhe qendrës shëndetësore në fshatin Bardhoc”

“Fatkeqësisht nga Kukësi po largohen shumë të rinjë dhe kjo është një plagë shumë e madhe sociale, por investime të tilla cilësore e me standarte bashkëkohore janë një shpresë dhe mundësi për të mbajtur rininë këtu”- theksoi kryebashkiaku Shehu, duke u bërë thirrje edhe biznesmenëve të tjerë nga Kosova, por edhe nga Kukësi, që të jenë prezent me donacione të tilla, mos ta harrojnë mikpritjen dhe vendlinjen, sepse sot Kukësi me të vërtetë ka nevojë.

Kryetari i Komunës Prizren, Z.Mytaher Haskuka duke kujtuar periudhën e shpërnguljes masive të shqiptarëve nga Kosova dhe mikpritjen e treguar nga banërët e Kukësit, tha se ndjehet i lumtur dhe krenar që një qytetar i Prizrenit po ia kthen të mirën kuksianëve me ndërtimin e këtyre tre objekteve.

Ceremoninë e inagurimit e përshëndetën edhe deputeti nga Kosova, Z.Haxhi Avdyli, ish deputetja Albana Vokshi, Kryetari i Këshillit të Qarkut, Z.Abedin Oruçi dhe drejtori i DAR Kukës, Z.Skënder Ahmeti; të cilët uruan banorët dhe fëmijët e fshatit Bardhoc për shkollën e re, si dhe vlerësuan inisiativën e kryebashkiakut Shehu, që në bashkëpunimin me bizneset nga Kosova ka mundësuar ndërtimin e disa disa objekteve sociale në Kukës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re