Kryedemokrati Lulzim Basha, përmes një video-mesazhi për qytetarët ka vijuar akuzat  ndaj kryeministrit Rama, për atë që ai e quan fshehje të viktimave Covid. Basha theksoi se ai nuk po akuzon mjekët për manipulim e fakteve por drejtpërdrejt Ramën. Gjithashtu ai i kërkoi kryeministrit të pranojë hetimin e prokurorisë për analizimin e të dhënave të pacientëve që kanë ndërruar jetë nga koronavirusi.

“Shqiptarët prisnin sot përgjigje. Por Rama vazhdon të gënjejë dhe t’i ikë përgjegjësisë.

Ai ka gënjyer në lidhje me numrat e viktimave. Nuk janë shifra, por janë qytetarë, janë nëna, baballarë që kanë humbur jetën.

Pasi i ka braktisur dhe i ka lënë pa asnjë mbështetje mjekët dhe infermierët në frontin e përballjes me pandeminë, ai po i keqpërdor ata.

Mashtrimi me shifrat zyrtare është përgjegjësi e Ramës, jo e mjekëve që po sakrifikojnë gjithçka në këtë betejë.

Ai ka braktisur shqiptarët dhe familjet e tyre, për të cilat nuk jep asnjë mbështetje financiare nga qeveria.

Rama po shpërfill dhimbjen dhe vuajtjet e qytetarëve, që kanë nevojë për ndihmë. Njerëzit po vdesin përditë, spitalet po kolapsohen, biznesi po falimenton, varfëria dhe papunësia po rriten.

Në vend që të ndihmojë shqiptarët, në vend që të përballet me të vërtetën dhe realitetin, Rama vazhdon avazin e sulmeve politike dhe gënjeshtrave.

Nëse nuk ke asgjë për të fshehur, prano direkt një hetim të plotë të të gjithë informacioneve që jo mjekët, por ti, ke fshehur në lidhje me viktimat e COVID-19.

Boll u fshehe pas gënjeshtrave dhe sulmeve politike. Jepu përgjigje të vërteta qytetarëve të Shqipërisë”, tha Basha.

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re