Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shpalli të premten vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores së Kukësit, Fahrije Gjana (Vata). Sipas Komisionit, pas shqyrtimit të provave dhe shpjegimeve u konkludua se nuk kishte vend për riçeljen e hetimit administrativ për dy kriteret e tjera, pastërtinë e figurës dhe profesionalizmin dhe vendimarrja për shkarkimin u mor bazuar në gjetjet për pasurinë.

Gjatë seancës dëgjimore të mërkurën më 26 janar, u konstatua përfitimi i një kredie të butë në mënyrë të kundërligjshme dhe u ngritën dyshime për vërtetësinë e një dokumenti të dorëzuar si provë për marrjen e një huaje. Po ashtu, Komisioni ngriti dyshime edhe për prona të fshehura.

Nga analiza financiare paraprake, prokurorja e Kukësit Fahrije Gjana (Vata) ka rezultuar me balanca negative për disa pasuri, në vlerën totale 4 milionë lekë. Gjana dha shpjegime në mënyrë të përmbledhur për barrën e provës dhe u shpreh se kishte arritur të provonte të kundërtën, si dhe kërkoi riçeljen e hetimit për dy kriteret e tjera.

Trupa e KPK që kreu procesin e rivlerësimit për prokuroren Gjana kryesohej nga Firdes Shuli, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Valbona Sanxhaktarin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Steven Kessler.

Fahrije Gjana (Vata) e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 dhe punoi prej gati dy dekadash si prokurore në Prokurorinë e Rrethit Kukës. /Birn

në Facebook, klikoni Join Group

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re