Thellohet përplasja mes Kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj dhe kreut të Federatës së Futbollit, Armand Duka. Qeveria e futbollit shqiptar nëpërmjet një konference për shtyp akuzoi Veliaj se po ndërhyn direkt në zgjedhjet e Shoqatës Rajonale të Futbollit Tirana, të cilat zhvillohen sot pasdite dhe që do të prodhojnë vota që ndikojnë në zgjedhjet për kreun e FSHF-së në datën 2 mars.

 

FSHF akuzoi Veliajn se ka kërcënuar hapur një pjesë të anëtarëve të kësaj shoqate gjatë një takimi të zhvilluar të dielen pasdite me dyer të mbyllura. Federata publikoi audion, duke nënvizuar se gjuha e përdorur nga kryebashkiaku me trajnerët dhe mësuesit e edukimit fizik është ajo e një rrugaçi dhe të forti lagjeje.

 

“Po mirë mor Sul që qesh me mu. Si ka mundësi që ju ka marrë dinjtetin, burrërinë. Si mund të presë robi k… e të sillet si rrotë k… ndërkohë që është njeri i futbollit, ka luajtur gjithë jetën futboll. Ne nuk jemi kurva që fshihemi. Ne jemi burra. E 40 burra do të shkojmë aty për t’i bërë shurrën.”

 

Ndërsa për të vërtetuar futjen e duarve të politikes në futboll, siç pretendon FSHF, zyrtarët e federatës evidentuan një tjetër pjesë të fjalës së Veliajt.

 

“Do shkojmë tek Federate Shqiptare e Futbollit për t’i bërë shurrën në shtëpinë e tyre. Jo Uefa e Fifa të zbresë, por sikur Zoti dhe Muhamedi të zbresin nuk e ndalin dot luftën time. Unë do të bëj çdo gjë për t’ia nxirë jetën këtyre me prokurori e SPAK. Edhe në të duam të tërhiqemi, nuk tërhiqemi dot se prokuroria është vënë në lëvizje. Futbolli është i vetmi ishull që na ka mbetur pa vënë nën kontroll.Kush më ka provuar në këtë qytet, e di punët e mira që janë bërë, i vetmi ishulll që ka mbetur komplet pa vënë dorë është futbolli. Edhe ju jeni familjarë, keni një dhomë ku ju nuk futeni? Nuk ka asnjë problem, prapë jemi 40 burra, kjo është shumë kollaj pas 20 vitesh, nëse ky grup nuk e bën punën mirë, atëherë e rrëzojmë, kushdo që vjen pas, ne e dimë që këta nuk janë të paprekshën.”

 

Por nëse FSHF bëri të ditur se do ndërmarrë veprime ligjore për këtë rast, vetë Veliaj pranoi vërtetësinë e materialit audio, duke shtuar se FSHF po angazhohet në përgjime dhe shantazhe për llogari të beut të saj.

 

“Bashkia e Tiranës është aksionere e Klubit të Futbollit “Tirona”, prandaj askush të mos ngatërrojë përkatësinë time në PS me përfshirjen time si aksioner në këtë proces zgjedhor të manipuluar nga beu i FSHF-së, apo të nxjerrë jashtë konteksti një bisedë djemsh, si në çdo fushë futbolli para ndeshjes! ‘Pavarësia’ e FSHF-së nuk mund të jetë gjethe fiku për një mbret lakuriq që është kthyer në neverinë e aksionerëve e dashamirësve të futbollit shqiptar, i cili thjesht nuk e ka pëlqimin tonë si një prej aksionerëve.”

 

Më herët, këtë të hënë, Prokuroria e Tiranës nisi veprimet e para hetimore ndaj Armand Dukës për akuza të shpërdorimit të detyres dhe abuzimit me fonde.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re