Shqipëria është në kërkim të talenteve që kanë origjinë shqiptare. Kjo është dhe ka qenë prej vitesh filozofia, që ka bërë bashkë shumë treva shqipfolëse në një përfaqësuese gjithëpërfshirëse.

Mirëpo, puna e vazhdueshme ka të bëjë edhe me futbollistët që kanë rrënjë shqiptare, edhe pse nuk kanë lindur në vendin tonë. “Panorama Sport” mëson se trajneri i Kombëtares Shpresa, Alban Bushi, është në gjurmët e talentit Mario Vrushaj. Për më tepër, trajneri i Shpresave ka bërë gjithçka gati dhe ka qëndruar thuajse një javë në Greqi, por gazeta mëson se mund të ketë vetëm një problem të vetëm, që quhet Olimpiakos.

PRAPASKENA- Stafi i ekipeve kombëtare ka bërë një tur vizitash dhe seleksionimesh në Greqi, Itali, Gjermani dhe vende të tjera ku ka emigrantë dhe futbollistë me origjinë shqiptare. Mirëpo, Alban Bushi mësohet se ka qenë edhe gjatë ditëve të fundit me një mision në shtetin helen. Gazeta mëson se trajneri i U21 është duke kontaktuar për talentin 21-vjeçar, Vrushaj.

Në pronësi të skuadrës së Olimpiakosit, Vrushaj aktualisht është pjesë e holandezëve të Uilem 2, me të cilën ka gjetur edhe golin që në start, por edhe ka asistuar për ekipin, duke bërë paraqitje tejet pozitive. Bushi ka kontaktuar me njerëz të afërt të lojtarit, me familjarë të tij për të parë gatishmërinë e tyre që mesfushori i majtë të vishet kuqezi. Vrushaj ka qenë pjesë e Kombëtares U-21 të Greqisë, por deri më tani nuk ka bërë një zgjedhje për Kombëtaren A.

PROBLEMI- Deri më tani, duket se puna dhe misioni i trajnerit Bushi është drejt finalizimit me sukses. Nga sa bëhet me dije, gatishmëria e familjarëve, sigurisht në emër edhe të vetë futbollistit, është premtuese se ai ka dëshirë që të përfaqësojë origjinën e familjes së tij, Shqipërinë në Kombëtaren A, mirëpo mund të ketë një pengesë. Olimpiakos, e cila zotëron edhe kartonin e tij dhe e sheh si një talent me shumë perspektivë, mund të ketë ndikim negativ në këtë zgjedhje të futbollistit.

Vrushaj është talenti më i ri i shkollës së Olimpiakos dhe aktualisht i huazuar tek holandezët e Uilem 2 dhe ka origjinë beratase. Ai ndërkohë ka qënë pjesë e skuadrave të moshave të Greqisë dhe në FSHF shpresojnë se do të bëhet pjesë e Kombëtares shqiptare./Berati.TV

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re