Presidenti Bajram Begaj priti sot në një ceremoni Trupin Diplomatik të akredituar në Tiranë.
Kreu i shtetit tha se parimet e Shqipërisë nuk kanë mbetur vetëm në nivel deklarativ, por janë përkthyer në zgjedhje të qarta strategjike dhe aleanca të qëndrueshme.
“Marrëdhënia jonë strategjike me SHBA-të, anëtarësimi në BE dhe përkatësia jonë në NATO përbëjnë themelin e sigurisë dhe orientimit tonë ndërkombëtar”, tha ai.
“Në një botë që po ndryshon me shpejtësi dhe shpesh me pasiguri, ajo që mbetet e qëndrueshme janë zgjedhjet që bëjmë dhe parimet që nuk i negociojmë. Shqipëria do të vazhdojë të jetë një partnere e besueshme, e parashikueshme dhe e përkushtuar ndaj vlerave që na bashkojnë, duke besuar se paqja, stabiliteti dhe bashkëpunimi ndërtohen çdo ditë, çdo ditë me përgjegjësi dhe respekt të ndërsjellë“, theksoi presidenti.
Kreu i shtetit shtoi se partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është një marrëdhënie e veçantë, historike dhe e ndërtuar “mbi mirënjohjen, besimin, vlerat e përbashkëta dhe angazhimin për lirinë dhe demokracinë”.
Begaj shtoi se kjo marrëdhënie u pasurua me një zhvillim domethënës siç ishte ftesa nga Donald Trump, presidenti i Amerikës, që Shqipëria të jetë pjesë e Bordit të Paqes.
“Ky angazhim pasqyron vlerësimin e SHBA-ve për Shqipërinë si një partner i besueshëm, i qëndrueshëm dhe i përkushtuar”, tha ai.
Presidenti shtoi se po kaq e rëndësishme është edhe marrëdhënia me Bashkimin Europian. Ai theksoi se aspirata e Shqipërisë për anëtarësim është “një zgjedhje strategjike dhe kthim në familjen tonë natyrore”.



