Vetëm pak kilometra larg Elbasanit dhe Tiranës, ndodhet Funari, një fshat i fshehur mes kodrave të gjelbra, që për shumëkënd është bërë destinacioni i preferuar i fundjavës.
I quajtur ndryshe edhe “Zvicra e vogël” e Shqipërisë, Funari po tërheq gjithnjë e më shumë turistë vendas dhe të huaj, të cilët mbeten të mahnitur nga natyra e paprekur dhe liqenet me ujë të kristaltë.
“Funari ofron shumëllojshmëri si nga pamja e mrekullueshme që kemi mbas shpine”, thotë një vajzë.
“Shumë i bukur, një vend shumë i gjallë i çelur. Besoj i mungojnë facilitetet, rregullimi i rrugës është një nga gjërat me të nevojshme, sepse është një vend shumë i bukur por një vend që s’ka burime”, shprehet një tjetër.
Për të promovuar më tej zonat me potencial turistik si Funari, kanë nisur të zhvillohen aktivitete kulturore dhe sportive, që po i japin jetë dhe vëmendje zonës.
“Funari është një nga pikat tona turistike të cilën e kemi promovuar dhe vazhdojmë ta promovojmë edhe për shkak të natyrës mrekullueshme por edhe për shkak te njerëzve të mirë e punëtorë dhe ushqimit të mirë që ka. Është afër qytetit të Elbasanit dhe një vend shumë relaksues, siç shihet dhe sot është një vend i freskët shumë here më i freskët se Elbasani dhe Tirana. Funarit i mungon një rruge e re për të cilën po punojmë në fakt. Na duhet një lidhje e re nga Dopaj, pasi rruga e vjetër e cila vjen nga Elbasani nuk është më afër me Tiranën apo bregdetin”, thotë Gledian Llatja, kryetar i Bashkisë Elbasan.
Me një natyrë të paprekur, një klimë të freskët dhe një komunitet mikpritës, Funari po kthehet në një prej destinacioneve më të preferuara të fundjavës, vetëm pak kilometra larg zhurmës së qytetit.