Një çetnik famëkeq serb ka dhënë shpirt në frontin Ukrainas, duke luftuar si mercenar krah rusëve.

Bratislav Zhivkoviç njihej për pjesëmarrjen e tij në konfliktet e huaja, veçanërisht në Ukrainë, ku ai luftoi në anën e separatistëve pro-rusë. Në vitin 2017, Rumania e etiketoi atë si një kërcënim për sigurinë kombëtare, duke ia ndaluar hyrjen në territorin e saj për 15 vjet, një ndalim që u shtri më vonë dhe në vendet e tjera të NATO-s.

Bratislav Zhivkoviç, komandanti i lëvizjes çetnike nga Serbia, u vra gjatë një beteje në rajonin e Kurskut. Sipas informacioneve jozyrtare, ai ka vdekur natën e 2 janarit gjatë luftimeve.

Lajmi për vdekjen e tij u shfaq në kanalet ruse Telegram, ku shokët e tij shprehën pikëllimin e tyre për humbjen.

Në një nga postimet thuhet:

“Në natën e 2 janarit, në betejat e vështira për çlirimin e rajonit të Kurskut, vdiq si hero miku dhe vëllai ynë, komandanti i togës sulmuese, Bratislav Zhivkoviç”.

Ai thoshte se ishte një marrës i medaljes së Ministrisë së Mbrojtjes ruse për “kthimin e Krimesë”.

Ky çetnik famëkeq kishte rol dhe në veriun e Kosovës, siç raportojnë mediat kosovare.

Për ekspertin e sigurisë,Agim Musliu, ky çetnik ishte një kukull e presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Musliu thekson se Zhivkoviç e filloi karrierën e tij proruse në vitin 2012, kur mori pjesë në ngritjen e barrikadave në veri të Kosovës.

“Çetniku serb Bratislav Zhivkoviç, një nga kukullat e Aleksandër Vuçiçit, i cili ishte i pranishëm në fjalimin e diktatorit rus Vladimir Putin në Moskë dy-tre ditë më pare. Ai e filloi karrierën e tij proruse në Kosovë, përkatësisht në barrikadat serbe të vitit 2012. në veri të Kosovës”, pohon Musliu.

Lideri i çetnikëve serbë kishte kaluar tri ditë në Maqedoninë veriore, gjatë së cilës ai vizitoi edhe rrethin e Kumanovës, ku u zhvilluan luftimet në maj të vitit 2015.

Gjatë qëndrimit atje, Zhivkoviç u takua me përfaqësuesit e shoqatave serbe dhe emëroi komandantin çetnik për rajonin e Kumanovës. Pas konfliktit të Kumanovës, Zhivkoviç kishte deklaruar se do të organizonte vullnetarë nga Serbia për të luftuar shqiptarët.

Ai ka tentuar të kalojë kufirin edhe në pikën kufitare Preshevë-Kumanovë, por nuk është lejuar nga policia serbe, raporton KosovaPress. /tesheshi.com/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re