Një fëmijë dy vjeç e gjysmë ka ndërruar jetë mëngjesin e së shtunës në spitalin Monaldi të Napolit, pas një beteje dymujore me pasojat e një transplanti të dështuar të zemrës.

Vogëlushi, i cili vuante nga kardiomiopatia që prej lindjes, iu nënshtrua operacionit më 23 dhjetor, por gjendja e tij u rëndua në mënyrë të pariparueshme për shkak të një vargu gabimesh të rënda mjekësore.

Hetimet kanë zbuluar se zemra e dhuruesit, e transportuar nga Bolzano, u dëmtua rëndë përpara se të mbërrinte në sallën e operacionit.

Në vend të protokollit standard që kërkon përdorimin e akullit të zakonshëm në temperaturë 4°C, ekipi mjekësor kishte përdorur akull të trashë (dioksid karboni të ngurtë), i cili arriti temperaturën -78°C duke ngrirë dhe shkatërruar indet e organit.

Megjithëse ligji e ndalon transplantimin e një organi të dëmtuar, mjekët vijuan ndërhyrjen dhe i mbajtën prindërit në errësirë për më shumë se një muaj, duke u thënë fillimisht se operacioni thjesht “nuk kishte shkuar mirë”.

Fëmija u mbajt në jetë artificialisht përmes makinës ECMO në pritje të një mundësie të dytë, por kur një zemër tjetër u bë e disponueshme javën e kaluar, ekspertët vlerësuan se trupi i tij ishte tepër i dëmtuar për të mbijetuar.

Pas vdekjes së vogëlushit, Prokuroria ka zgjeruar hetimet ndaj gjashtë mjekëve dhe infermierëve, ku akuza fillestare për lëndim të rëndë pritet të kthehet zyrtarisht në vrasje nga pakujdesia. /tesheshi.com/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re