Skip to content

“Fundi i Ramës dhe Berishës është afër, dy gjyshat mbajnë peng vendin”, Salianji: Protesta duhet të vijojë! Do të vazhdoj betejën për kreun e PD

ervin salianji 3

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, deklaron se fundi politik i Edi Ramës dhe Sali Berishës është afër, duke i cilësuar ata si dy figura që, sipas tij, mbajnë peng ndryshimin në Shqipëri.

I ftuar në emisionin “Minuta e Parë” në News24, me moderatoren Ola Bruko, Salianji komentoi protestat e opozitës, duke vlerësuar se qëndresa qytetare duhet të vijojë dhe se sheshi duhet të mbetet në fokus. Ai u shpreh se ka tërhequr përkohësisht lëvizjen e tij politike për të mos ndërhyrë në protestën qytetare, por paralajmëroi se do të vijojë betejën për ndryshimin e PD-së dhe largimin e qeverisë Rama.

Salianji theksoi se Partia Demokratike duhet të hapet ndaj të rinjve, pedagogëve dhe qytetarëve, duke kërkuar garë dhe përfaqësim përmes votës. Sipas tij, opozita ka mundësi të përfitojë nga pakënaqësia që prodhon qeverisja, por duhet të bëjë një analizë të përditshme dhe të ndryshojë mënyrën e organizimit.

Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje për mundësinë që Berisha të fitojë zgjedhjet me të njëjtin ekip politik, ndërsa deklaroi se nuk përjashton asnjë rrugë për të vijuar betejën, përfshirë proceset gjyqësore, faktorizimin politik apo kandidimin për kryetar të PD-së.

“Por e përzunë nga PD. Këta që janë të votuarit, dolën më pak të votuar në kryesinë e tij, se s’ka votë ai vetë. Ata ose të bëjnë pis, ose të çojnë në burg. Janë duke u shkatërruar! U prodhua një ngjarje që askush s’e mendonte, një protestë e cila pas 36 vitesh, PD, që ka përfaqësim zyrtar në Parlament, s’del dot në protestë. Në intuitën kolektive është kapur se këta të dy janë bashkë dhe duhet një sistem i ri politik. Aty ishte dhe Çaushesku në shesh. E njëjta gjë ka për të ndodhur. Fundi i Ramës është i afërt dhe i përbashkët nëse Berisha mundohet ta mbajë atë në pushtet. PD duhet të ketë garë, pasi është aset i rëndësishëm kombëtar. Të hapë mundësi për të rinjtë, pedagogë, qytetarë, që të gjykohet nga vota dhe interesi i shqiptarëve. Dhe rrëzohet direkt Rama. Skenari tjetër është që do të rrëzohen të dy njëkohësisht, siç ndodhi në Serbi apo Hungari, me zgjedhje. Ata duan ta mbajnë me forcë pushtetin. Lëvizja duhet të qëndrojë me forcë, që të japë ndryshimin. Pushteti në fund ndërrohet me votë. Në Shqipëri ka deformim të vullnetit të zgjedhësve. Opozita ka një avantazh tjetër, ka pakënaqësinë që prodhon pushteti.

PD dhe opozita mund të bëjnë një analizë ditore. Kruja dhe Fushë-Kruja është zonë që quhet si kriminale. Është përdorur dhe rëndësishëm për shitblerje votash. Unë kam fituar edhe kur përballë meje është përdorur fuqi e madhe financiare. Kur populli do të bëjë ndryshim, tejkalohet çdo marifet nga populli. Si do të fitojë Berisha me të njëjtin ekip që iu vodh në 2013 pushteti?! Me këtë ekip që populli e nxori në opozitë, do të fitosh prapë me këtë ekip?! Këta janë dy gjysha. A dinë gjë tjetër këta? Apo vetëm të mbajnë peng Shqipërinë?! Kanë dhe kohë të lirë këta! Do të thyhet shtylla kurrizore, do të thyhen në mes. Shpresa është reagimi qytetar, popullor, sheshi. Nevoja që ka Shqipëria për ndryshim do ta prodhojë mundësinë. Jam tërhequr për shkak të protestës. Do ta vazhdoj prapë lëvizjen. Po pres që të mos bëj asnjë interferencë sheshit, pasi ka qenë lëvizje qytetare e pandodhur ndonjëherë. Është e pakapur si gjë. Duhet pasur fokusi aty. Nëse nuk do të ketë sukses, unë jam këtu. Qoftë për lëvizje, për të ndryshuar PD-në, qoftë me procese gjyqësore apo do të kandidoj për kryetar partie, përmes gjithë instrumenteve ligjore. Do të bëj dhe faktorizim me njerëzit, forcat opozitare, qytetarët, për të rrëzuar këtë regjim. Unë nuk përjashtoj asnjë mundësi që opozita të fitojë në zgjedhje. Beteja duhet të vijojë që Rama të mos jetë më kryeministër deri në zgjedhjet lokale. Të vegjlit, nëse do t’i bënin luftë Ramës, do të tregonin më shumë dinjitet. Këta njerëz mund të bëjnë lëvizje në PS. Koston ia kanë krijuar Ramës. Reagimi i tyre ka kosto për PS-në.”, tha ai.