Një reper suedez, i cili u shpall artisti i vitit të muzikës hip-hop të Suedisë muajin e kaluar, u vra në një shkëmbim zjarri mes bandave në Gothenburg, tha sot policia e vendit.

I njohur me pseudonimin “reperi i maskuar”, C. Gambino, 26 vjeç, u qëllua për vdekje në një parking mbrëmë, tha policia.

“Policia ka nisur hetimet për vrasje. Për momentin nuk ka asnjë të arrestuar”, thuhet në njoftimin për shtyp.

Ajo vrasje ishte “e lidhur me një mosmarrëveshje bandash” dhe reperi ishte i njohur për policinë, tha një zëdhënëse e policisë për AFP.

Fotot e publikuara nga vendi i sulmit tregojnë një derë xhami të parkingut të mbushur me plumba.

C.Gambino publikoi këngën e tij të fundit “Sista Gang” (“Hera e fundit” në suedisht) më 1 maj. Është transmetuar tashmë 700,000 herë në Spotify. Sipas platformës, reperi mbledh rreth 1 milion dëgjime në muaj.

“Ai ishte një nga këngëtarët më të mëdhenj të hip-hop-it në Suedi,” tha eksperti suedez i repit Peter Hallen për agjencinë e lajmeve TT, duke shtuar se vdekja e tij ishte “një goditje e rëndë për skenën e repit në Goteborg dhe në të gjithë Suedinë”.

“Gjëja më tragjike është se ai kohët e fundit ishte larguar nga bota e krimit për t’iu përkushtuar shprehjes së ndjenjave dhe marrëdhënieve”, shtoi ai.

Një tjetër reper i famshëm suedez, Einar, u qëllua për vdekje si pjesë e një konfrontimi midis bandave kriminale në tetor 2021.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re