Organizata Ndërkombëtare e Migrimit (IOM) njoftoi se të paktën 74 emigrantë të parregullt janë mbytur në Mesdhe pas fundosjes së një barke në ujërat e Libisë.

Në një deklaratë me shkrim nga agjencia e OKB-së për migracionin thuhet se aksidenti ndodhi pranë qytetit limanor Al Khums.

Në deklaratë thuhet se barka mbartte më shumë se 120 persona, përfshirë gra dhe fëmijë.

Siç njoftohet, 47 persona janë shpëtuar nga peshkatarët dhe ekipet e rojeve bregdetare dhe janë sjellë në breg.

Në deklaratë theksohet se përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit vazhdojnë dhe se deri më tani janë gjetur 31 kufoma.

Në dy ditët e fundit, pas përmbysjes së dy barkave në Mesdheun Qendror, të paktën 19 persona, përfshirë dy fëmijë, humbën jetën, rikujtoi IOM, duke shtuar se mbi 200 persona janë shpëtuar nga anija “Open Arms”, që është anija e vetme që aktualisht vepron si organizatë joqeveritare në këtë rutë.

Në deklaratë gjithashtu thuhet se të paktën tetë aksidente detare kanë ndodhur në Mesdheun Qendror që nga 1 tetori.

Në një deklaratë tjetër në lidhje me aksidentin, drejtori i IOM-it për Libinë, Federico Soda, theksoi se aksidenti i fundit është një manifestim i pandjeshmërisë së shteteve në përpjekjet e kërkimit dhe shpëtimit.

“Mijëra njerëz të pambrojtur vazhdojnë të paguajnë për këtë mosveprim si në det, ashtu edhe në tokë”, tha Soda, duke kritikuar vendet evropiane pa specifikuar emra.

Sipas të dhënave të IOM-it, këtë vit, të paktën 900 emigrantë të parregullt kanë humbur jetën në Mesdhe në përpjekje për të arritur në brigjet evropiane.

AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re