Ngjarjet e fundit në radhtë e policisë së shtetit që kanë ndodhur së fundmi, ku një polic vrau veten, një tjetër kolegun, ndërsa vetëm pak kohë më parë një i ri u vra në një stacion policie, kanë bërë që drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, ditën e djeshme të zhvillojë një takim me përfaqësues të shërbimit të psikologëve në Policinë e Shtetit.

 

Në fokus të këtij takimi ishin shkëmbimi i mendimeve dhe identifikimi i problematikave aktuale që lidhen me shërbimin e psikologut në Policinë e Shtetit dhe për dhënien e rekomandimeve përkatëse për përmirësimin e këtij shërbimi, në funksion të asistimit, të testimit dhe të vlerësimit të punonjësve të Policisë, të cilët gjatë procesit të punës së tyre shfaqin problematika dhe ngarkesa emocionale, sidomos në disa struktura apo njësi policore që konsiderohen me risk të shtuar gjatë kryerjes së detyrave të tyre.

 

Nano, duke njohur rolin dhe kontributin e shërbimit të psikologut, për kryerjen së detyrave funksionale të Policisë së Shtetit, gjatë fjalës së tij, u shpreh:

 

“Puna jonë e përditshme është sfiduese për ne, jo vetëm si profesionistë, por edhe si njerëz, për shkak të angazhimit 24/24 dhe të ngarkesës emocionale që kanë rastet e trajtuara. Nisur nga ky fakt, për ne si Polici e Shtetit, është e rëndësishme që çdo punonjës, në çfarëdo niveli, të jetë i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm gjatë kryerjes së detyrës, si dhe gjatë komunikimit apo ndërveprimit me qytetarët. Që të vlerësohet kjo, ne kemi nevojë që shërbimi i psikologut në strukturat tona, të jetë efikas dhe të përmbushë në mënyrën më të mirë dhe me standarde europiane, rolin dhe kontributin e tij shumëdimensional. Për këtë qëllim, ne kemi ngritur një grup pune, në mënyrë që ky proces të kryhet në mënyrë sa më të plotë, duke marrë për bazë jo vetëm legjislacionin shqiptar të fushës, por edhe eksperiencën e shërbimit të psikologut të policive të vendeve të tjera dhe në bashkëpunim edhe me misionet policore që asistojnë Policinë e Shtetit.”

 

Në vijim të bashkëbisedimit të Drejtorit të Përgjithshëm, Zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm dhe Drejtorit të Burimeve Njerëzore, me profesionistë të fushës dhe të shërbimit të psikologut në Policinë e Shtetit, u konkludua se është i nevojshëm fuqizimi i kapaciteteve të këtij shërbimi, si dhe rishikimi i procedurës standarde që normon punën e tij.

 

Nisur nga kjo, Drejtori i Përgjithshëm caktoi, për shërbimin e psikologut në Policinë e Shtetit dhe për sektorët përkatës, detyrat si vijojnë:

٠rishikimi i përshkrimeve të punës së funksionit të psikologut;
٠krijimi i kushteve më të mira të punës dhe të aktivitetit të shërbimit të psikologut në Policinë e Shtetit;
٠rishikimi i programeve të trajnimit për këshillimin psikologjik, si dhe
٠vendosja e një niveli më të lartë bashkëpunimi me drejtuesit dhe punonjësit e Policisë në strukturat vendore dhe qendrore.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re