Gjykata e Durrësit ka liruar 10 nga 18 policët dhe zyrtarët e arestuar për abuzimin me pronat.

Mësohet se janë lënë të lirë nga Gjykata Sami Xhafa, Nikollë Marku, Besnik Domi, Astrit Nuri, Julian Kacadej, Marius Shahini, Dritan Koçi ,Paulin Meta, Gjon Zefi dhe Qerim Doka.

18 zyrtarët e policisë së qarkut të Durrësit dhe zyrtarët e pushtetit lokal që u arrestuan tre ditë më parë kanë dalë sot para gjykatës për njohjen me masën e sigurisë.

Të gjithë të arrestuarit ishin të pranishëm në gjykatë, ndërsa për policin Gani Dama masa u dha në mungesë, pasi është ende në kërkim, ndërsa Astrit Nure, specialist armatimi, që është pezulluar nga detyra dhe është lënë në detyrim paraqitje, përfaqësohet me avokatin.

Të arrestuarit dyshohet se kishin krijuar një mekanizëm korruptiv me qëllim përfitimin e parave, ndërsa në këmbim jepnin lejet për ndërtime të shumta të paligjshme si objekte banimi, magazina, objekte biznesi etj. Me anë të kësaj skeme abuzive ata shmangnin zbatimin e legjislacionit në fushën urbanistike dhe sigurimit teknik të tyre. Por përveçse kanë favorizuar biznesmenët të ndërtojnë pa leje, kanë falsifikuar dokumentet, nuk kanë raportuar ngjarjet kriminale, dhe më tej akoma, kanë fshehur kallëzimet e bërë nga qytetarë të ndryshëm për abuzimet që po ndodhnin në këto zona me ndërtimet pa leje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re