Futbollisti shqiptar, Mehmet Hetemaj, është bërë hero në Finlandë duke i shpëtuar jetën një fëmije.  Pak ditë më parë, mediat e huaja tregonin se si Hetemaj ka shpëtuar një fëmijë që po mbytej në një liqen artificial.

Ditën e sotme, futbollisti i cili luan për skuadrën e Seinajoki, ishte i ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, ku ka rrëfyer sesi ka ndodhur ngjarja.

Hetemaj e nis rrëfimin duke thënë se ishte në vendin e ngjarjes së bashku me nënën e tij, e ka qenë pikërisht ajo që ka shkuar për t’i dhënë ndihmën fëmijës që po mbytej.

“Ishte një djalë me nënën e tij, ai ka qëndruar mbi 20 minuta mbi një dyshek në ujë. Në një moment ai u rrëzua, e djali ka bërtitur për ndihmë. Nëna e tij nuk e mori seriozisht ngjarjen, pasi mendonte se i biri dinte not dhe i thoshte që të hipte sërish në dyshek”, tregon ai.

“Nëna ime hyri menjëherë në ujë për të shpëtuar djalin, fillimisht u duk se po e ndihmonte, por edhe nëna nisi të fundosej. Pastaj hyra shpejt në ujë dhe i mora djalin nënës. Ajo ishte mirë dhe arrinte që të notonte. Madje teksa po nxirrja djalin edhe vetë e kisha të vështirë, e dukej sikur edhe unë po fundosesha. Duket sikur nuk është thellë, por liqeni është shumë i thellë. 8 metër i thellë besoj se është, pasi nuk kam informacion të saktë. Ishte shumë vështirë me notuar, edhe pse djali ishte pak më i vogël se 10 vjeç. Djalin e nxora dhe ja dërgova nënës së tij dhe më pas u ktheva në ujë për të marrë dyshekun. Të gjithë të pranishmit na falënderuan, fillimisht nënën, pasi ajo hyri e para në ujë”, rrëfeu futbollisti.

/shqip

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re