Pacienti zero në Poliçan është shëruar nga koronavirusi dhe ka lënë spitalin. Në një intervistë për Abc News, kryebashkiaku Adriatik Zotka foli për situatën në Poliçan, që tashmë është “i pastër”, pa asnjë rast të Covid-19.

Pas konfirmimit të rasteve të para në Shqipëri, në hyrje të Poliçanit u vendos trau. Ndërkohë, pasi një i moshuar u testua pozitiv, Zotka urdhëroi futjen në karantinë të qytetit për dy javë.

Kryebashkiaku tha se u detyrua të marrë këtë vendim, pasi në qytet janë 800 të sëmurë kronikë me probleme në mushkëri. Madje ai thekson se kanë gjetur gjuhën e përbashkët me qytetarët, dhe deri më tani nga policia nuk është vendosur asnjë gjobë.

“Ne nuk pamë vetëm një anë të medaljes. Morëm masat për furnizimin normal dhe kjo erdhi në konsensus me gjithë qytetarët. Patëm mirëkuptim dhe policia nuk ka vendosur asnjë gjobë të vetme. Ne jemi aty një familje e madhe dhe i dimë hallet e njëri-tjetrin”, tha Zotka.

Pjesë nga intervista:

Dje doli nga spitali shëndoshë e mirë pacienti zero. U kthye pranë familjes dhe nga ana jonë kemi marrë të gjitha masat, duke bërë dezinfektimin. Në polican, u mblodh shtabi i emergjencave, duke pasur edhe atë specifikën që janë ata 800 të sëmurët kronikë. Të gjithë emigrantët që vinin ishin të detyruar të shkonin në vendin e karantinës.

Në momentin që vutë traun pati nga ata që donin të futeshin me forcë në qytet?

Patjetër që pati, por kishte edhe mirëkuptim. Ne u detyruam ti marrim këto masa në konsensus me gjithë komunitetin. Gjej rastin ti falenderoj të gjithë. Momentin e parë që u konfirmua i moshuari me covid, nisi gjurmimi me konstatimin e rastit ne bëmë gjurmimin. Brenda 24 orëve u morën tamponë

Sa persona e bënë testin?

Fillimisht 24, pastaj duke marrë edhe kontaktet e pacientit zero. Në momentin e parë derisa erdhi përgjigja negative ne u detyruam të fusim të gjithë qytetin në karantinë.

Ju mbyllët qytetin për dy javë, bëtë edhe njoftimin që qytetarët të furnizoheshin me ushqime. Tregtarët si a ia bënë, kishin furnizime mjaftueshëm?

Ne e bëmë në harmoni me njëri tjetrin. Çdo pjesëtar i një familje të shkonte të merrte ushqime për 1 javë ose më shumë.

Për çdo zonë keni një administrator për njerëzit që kanë nevojë?

Ne nuk pamë vetëm një anë të medaljes. Morëm masat për furnizimin normal dhe kjo erdhi në konsensus me gjithë qytetarët. Patëm mirëkuptim dhe policia nuk ka vendosur asnjë gjobë të vetme. Ne jemi aty një familje e madhe dhe i dimë hallet e njëri-tjetrin. Ajo që na shqetëson më shumë është edhe problemi ekonomik. Ne këtë sfidë kemi përpara paralel me covid.

Sa familje janë në nevojë në Poliçan?

Në qytet janë 408, por edhe gjithë bashkia bëhe 1100 familje.

Kemi pasur persona të tjerë të dyshuar?

Këtë e thotë mjekësia. Nuk mund ta themi nëse ka raste të dyshuara.

Nëse ka telefonuar dikush dhe ka kërkuar ti bëhet tamponi?

Çdo ditë ka raste që u merret tamponi, në të gjithë qarkun e Beratit, por edhe në Poliçan. Por fatmirësisht kanë dalë negativë.

Në këtë situatë, si do të procedohet me masat më tej që do marrë bashkia?

Ne lutemi që kjo të jetë një periudhë e shkurtër. Masat do të jenë të përshkallëzuara deri në fund.

Ju e quani çështje fati apo menaxhimi të mirë të situatës në Poliçan.

Secili ka bërë punën e vet për tu mbrojtur. Ne si bashki morën masat tona.

Por ishit i pari qe futët të gjithë qytetin në karantinë.

Po sepse kemi 800 të sëmurë kronikë nga mushkëria dhe na u desh të merrnim këto masa. E dyta ishte se qyteti jonë është i vogël dhe kemi kontakte me të gjithë.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re