Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Kuçovës, Lefter Maliqi është proceduar penalisht pasi akuzohet se ka ofenduar dhe ka shpifur ndaj 4 punonjësve të një firme ndërtimi.

Sipas policisë, Lefter Maliqi dhe një person tjetër kanë hyrë brenda një lokalit dhe kanë fyer me fjalë si edhe kanë shpifur për shtetasit Sh. Sh., 59 vjeç, A. Sh., 39 vjeç, A. K., 44 vjeç dhe A. K., 57 vjeç, të katërt punonjës të një firme ndërtimi.

Ndaj Lefter Maliqit dhe mbështetësit të tij, 48 vjeçarit M. H., janë ngritur akuzat për veprat penale “Fyerja” dhe “Shpifja”, të kryera në bashkëpunim.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë, mbrëmjen e djeshme, pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi Sh. Sh., se shtetasit L. M. dhe M. H. e kishin fyer me fjalë, i kanë shoqëruar në Komisariat, këta dy shtetas, si dhe kanë njoftuar prokurorin e gatshëm, në lidhje me këtë rast.

Në përfundim të veprimeve procedurale të kryera në drejtimin e Prokurorisë, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kuçovë kanë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit L. M., 51 vjeç, banues në Tiranë (kandidat për kryetar të bashkisë Kuçovë) dhe M. H., 48 vjeç, banues në Kuçovë (mbështetës i kandidatit).

Mbrëmjen e djeshme, në ambientet e një lokali në qytetin e Kuçovës, dyshohet se këta shtetas kanë fyer me fjalë dhe kanë shpifur për shtetasit Sh. Sh., 59 vjeç, A. Sh., 39 vjeç, A. K., 44 vjeç dhe A. K., 57 vjeç, të katërt punonjës të një firme ndërtimi.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Fyerja” dhe “Shpifja”, të kryera në bashkëpunim”-njoftoi policia.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re