Drutë e zjarrit dhe qymyri janë burimi kryesor i ngrohjes për familjet shqiptare. Të dhënat e fundit të disponueshme nga INSTAT tregojnë se është gati gjysma e familjeve që përdorin sobat për ngrohjen e banesave të tyre, ndërkohë që energjia elektrike renditet në vendin e dytë me 43.8%.
Eksperti i energjisë, Azmer Duleviç dhe ekspertja e ekonomisë, Teuta Nunaj mëngjesin e sotëm diskutuan rreth kësaj problematike në studion e “7pa5” në Vizion Plus me moderatorët Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova.
Duleviç tha se qytetarët të cilët jetojnë në pallate, janë “të detyruar” të përdorin ngrohjen me energji elektrike, duke qenë se nuk kanë alternativa të tjera. Ndërsa numri i familjeve që ngrohen me dru është më i lartë në zonat rurale. Sakaq, ekspertja Nunaj foli edhe për ngrohjen me gaz, e cila është më pak e kushtueshme, por më e rrezikshme. Kjo ka bërë që qyetarët ta shmangin.
Pjesë nga biseda në studio
Duleviç: Pjesa urbane, qytetarët që jetojnë në pallate, të vetmen mënyrë kanë energjinë elektrike sepse ne nuk kemi as kaldaja, as rrjet gazi dhe qytetarët janë të detyruar të përdorin energjinë elektrike. Por kemi dhe zonat rurale ku qytetarët përdorin mënyrat tradicionale të ngrohjes me dru. Ka dhe mënyra të tjera që janë ngrohjet me gaz, por vitet e fundit ka filluar mos përdoret shumë për shkak të problematikave që sjell kjo mënyrë. Ngrohja me dru kohët e fundit është shumë e kushtueshme pasi është dyfishuar çmimi i metrit të druve.
Nunaj: Kriteri bazë është ekonomia. Familjet zgjedhin në bazë të mundësive. Familjet në qytete janë të kushtëzuara sepse nuk kanë mundësi të përdorin një mjet tjetër ngrohës. Rrezikshmëria e bombolave të gazit i ka spostuar si një alternativë ngrohjeje. Edhe pse kanë kosto më të vogël, kanë risk më të madh.
Duleviç: Shumica e familjeve nuk e ngrohin gjithë banesën. Duke qenë se jemi përballë faktit se kemi një kondicioner është e vështirë të arrihet një temperaturë e unifikuar në të gjithë banesën. Në momentin që një banesë nuk ka termoizolim, nuk janë zbatuar normat e projektimit dhe të ndërtimit është shumë e vështirë që ti ta ruash temperaturën për një kohë shumë të gjatë. Qytetarët kanë maninë që kur është shumë ftohtë jashtë, e vendosin kondicionerin në maksimun, kur jashtë është 0 gradë. Në këtë rast mendojnë se do ta ngrohin më shpejt ambientin, por ka më shumë sforco motori dhe ka më shumë kosto. Temperatur e rekomanduar është jo më shumë se 26 gradë celcius.
Nunaj: Ngrohja me dru lidhet drejpërdrejt edhe me kushtet e jetesës. Qarku i Kukësit dhe Dibrës përdorin më tepër se gjithë qarqet e tjera lëndën drusore për ngrohje. Këtu flitet për nivele mbi 95%, që do të thotë se edhe personat që jetojnë në fshat edhe ata që jetojnë në qytet përdorin lëndën drusore për ngrohje. E njëjta gjë ndodh me Shkodrën, Korçën. Ndëra Tirana, Durrësi që janë më pranë bregdetit dhe i kanë më të kufizuara burimet, janë qarqe që përdorin drurin në nivele rreth 30%. Në qarqet e zhvilluara, që kanë një ekonomi më të mirë, kemi ulje të numrit të familjeve që përdorin drurin./
