Nga Bashkim Fino*

I nderuar Kryetari Kuvendit

Të nderuar deputetë,

Miq dhe shqiptarë kudo ku jetoni

Edhe JU, që sot keni humbur arsyen dhe nga rruga, apo nga zyrat shtetërore, po përdhosni shqiponjën dykrenore me keqpërdorimin që po i bëni asaj si simbol i bashkimit,

Ju drejtohem të gjithëve, sepse sot nuk ka shqiptar që i thotë vetes patriot, që nuk po ndjek me shqetësim teatrin presidencial që prej disa muajsh vijon me skena të reja, të shkruara njëra pas tjetrës, me shpresën se rrjedha e ngjarjeve do të mund t’i udhëheqë drejt një finaleje të lumtur.

Një teatër, për të cilin dramaturgu kryesor, ka zgjedhur si skenë Shqipërinë, që në 30 Qershor ka zgjedhjet për pushtetin lokal.

Te nderuar deputetë!

30 Qershori, nuk u caktua nga Edi Rama, Lulzim Basha, Taulant Balla, Monika Kryemadhi, Fatmir Mediu dhe as nga Ilir Meta. Ajo është thjeshtë, një nga dy datat, që të gjithë këta në konsultë me njeri-tjetrin mund të zgjidhnin, si datën më të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve lokale.

Kjo datë është datë KUSHTETUESE.

Neni 92/gj e Kushtetutës i ngarkon Presidentit detyrën për caktimin e datës së zgjedhjeve dhe shpalljen  e kësaj date me DEKRET.

Midis datave 23 dhe 30, si data të mundshme të parashikuara nga përllogaritjet Kushtetuese, për  zgjedhjet lokale 2019, pas konsultave të Presidentit me subjektet parlamentare, u caktua data 30 Qershor. Nëse ka një gjë të sigurtë pas kësaj është që qershori i 2019 ka datë 30 dhe që në datë 30 Qershor ka zgjedhje.

Presidenti kur ka nxjerre dekretin për datën e zgjedhjeve e e ka konsumuar referimin e nenit 92/gj për këto zgjedhje.

Dhe kushtetuta detyrë e caktimit të datës për këto zgjedhje, kërkonte që Presidenti ta nxirrte dekretin në Nëntor 2018, jo në 10 Qershor 2019.

Data 30 ishte një nga dy datat e parashikuara nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor për të zhvilluar zgjedhjet lokale. Ato data nuk u zgjodhën nga presidenti. Ato data diheshin që prej datës së shpalljes së rezultatit nga KQZ për pushtetin lokal 2015.

Pas daljes së dekretit, Presidenti ka ezauruar detyrimin e vet Kushtetues për caktimin e datës. Si do thoshte dikush: Presidenti ka kry pun.

Dhe Presidenti cakton datën e zgjedhjeve dhe “kryn pun” me zgjedhjet, sa herë që afrojnë afatet Kushtetuese dhe ato të Kodit Zgjedhor dhe sa herë që për shkak të zgjedhjeve të radhës, Presidenti rimerr letrat e afateve të radhës dhe kalkulon datat e zgjedhjeve të radhës.

Për të ripërdorur dispozitën e nenit 92 të Kushtetutës, Presidenti, duhet të presë afrimin e zgjedhjeve për Kuvendin 2021.

Të shkosh nga detyrimi Kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve drejt arsyetimit se pasi ke caktuar datën, mundet edhe të ndërrosh mendje dhe pastaj të nxjerrësh një letër që e quan dekret për shfuqizimin e dekretit, është njësoj sikur të pretendosh se mjafton të grisësh kalendarin e varur në murin e shtëpisë dhe data zhduket nga qarkullimi.

Lexova letrën e arsyeve që ka përdorur presidenti për shpikjen e vet, në të cilën ka thënë:

“sipas Kushtetutës, pa pasur një datë të caktuar nga Presidenti i Republikës, zgjedhjet nuk mund të zhvillohen”.

Presidenti e ka lexuar detyrën kushtetuese të parashikuar nga neni 92/gj si privilegj kushtetues, të cilin po nuk të deshi qejfi nuk e zbaton. Me këtë lexim që i ka bërë Kushtetutës, Presidenti, praktikisht na ka thënë që po s’e nxori ai dekretin, ky vend nuk ka zgjedhje. Mbështetur tek ky arsyetim Presidenti na njoftoi për shfuqizimin e datës 30 Qershor, me Logjikën po nuk nxora dekret unë, s’ka zgjedhje.

Të nderuar deputetë!

Ka një arsye pse Kushtetuta dhe Kodi i kanë lënë në dorë presidentit që të zgjedhë vetëm midis dy datave. Dhe a e dini se cila ish arsyeja?? Arsyeja ish se në historinë e këtij vendi ka pasur edhe presidentë të tjerë që njëlloj si ky i sotmi, besonin se caktimi i datës ishte privilegj. Sigurisht Kushtetuta nuk mund të parashikonte që dikush mund të arrinte që pasi të kish ushtruar detyrën Kushtetuese, të bëhej pishman dhe ti kthehej me grushte kalendarit.

Unë të dashur miq, nuk besoj se ka njeri me mend në kokë që e pranon arsyetimin presidencial.

“Arsyetimi Presidencial” është logjike anarkiste, sepse Neni 10 i kodit zgjedhor parashikon që mandati i të zgjedhurve të pushtetit lokal MBARON në të njëjtin muaj, në të njëjtën datë, të vitit të katërt, pas datës së shpalljes së rezultatit nga KQZ. Kjo datë është data 10 gusht. Pas kësaj të zgjedhurve në Pushtetin lokal ju përfundon mandati.

Ndaj leximi jangllësh i Kushtetutës duhet të kërkohet tek pasojat e pritshme apo të shpresuara dhe jo tek 15 faqet e shkruara e në të cilat janë përzierë bashkë, keq dhe shumë keq një listë konceptesh, institutesh, dispozitash dhe prej tyre na serviret një supë presidenciale e gatuar me recetën “sa kohë që unë nuk dua në këtë vend nuk mund të ketë zgjedhje”.

Kushtetuta dhe Kodi detyronin presidentit që zgjedhjen e njërës prej datave ta bënte muaj përpara datës 30 Qershor dhe jo 13 apo 20 ditë përpara.

Kodi zgjedhor nuk i paracakton presidentit, detyrimin për të caktuar datën e zgjedhjeve, pasi ai të marri dijeni për subjektet zgjedhore e regjistruara për të marrë pjesë në zgjedhje.

Kushtetuta nuk e autorizon që Presidenti të zgjedhë datën e zgjedhjeve, pasi ai të verifikojë (sipas teorisë së vet mbi pluralizmin), nëse lista e subjekteve zgjedhore të regjistruara, plotëson ose jo mjaftueshëm konceptin presidencial mbi numrin e subjekteve zgjedhore të domosdoshme e që sipas tij zgjedhjet të quhen pluraliste ose jo.

Data e zgjedhjeve vendoset disa muaj përpara, sepse ajo datë është starti i një serie të gjatë afatesh dhe detyrimesh të subjekteve të tjera. Që nuk kanë asnjë lidhje me presidentin.

Caktimin e asaj date duhet ta bëjë presidenti pikërisht sepse ai presupozohet se nuk ka asnjë lidhje me subjektet e përfshira në zgjedhje.

Kodi zgjedhor është dëshmitar i faktit që presidenti nuk ka asnjë kompetencë mbi zgjedhjet. Sepse PRESIDENTI NUK ËSHTË PALË NË ZGJEDHJE.

Kur presidenti do të bëhet palë në një proces zgjedhor, luan brenda subjekteve zgjedhore, por jo nga zyra presidenciale. Nëse ajo zyrë nuk të pëlqen, për këtë nuk e ka fajin zyra.

Presidenti nuk mund të ndërhyjë në proces me asnjë dekret, as për dekretim, as për ç’ dekretim me gjithë konotacionin çnderues që mbart ky term, për atë që e shpiku.

Presidenti thotë: “çdo demokraci ka nevojë që herë pas here të testojë funksionalitetin dhe efikasitetin e institucioneve të saj dhe ZGJEDHJET (shkruan presidenti), janë pikërisht mekanizmi që e mundësojnë atë.” Dhe këtë e thotë pasi na ka thënë që pa caktuar datën ai, nuk ka zgjedhje!!!!!????

Të dashur miq!

Demokracia është vullnet i votuesit dhe vullneti i votuesit nuk mund të lidhet me marrjen leje nga presidenti për të shkuar në zgjedhje ose jo, sepse pa datën e presidentit nuk paska zgjedhje. (!!)

Me fjali që do të na i shesë si halli që ai paska për krijimin e “një konflikti civil gjë e cila përbën rrezik serioz për dëmtim të jetës dhe shëndetit të qytetarëve, stabilitetin demokratik të vendit, unitetin e popullit dhe rendin kushtetues”, Presidenti në fakt ka kërcënuar të gjithë shqiptarët duke lajmëruar tani nga podiumi presidencial se nëse PD dhe LSI nuk hyjnë në zgjedhje, do të ketë luftë.

Se si mund të pretendosh se po përfaqëson unitetin e popullit, duke kërcënuar popullin, vetëm Presidenti ynë mund ta kuptojë.

Si ish-Kryeministër dhe si deputet nga më të vjetrit e këtij Kuvendi unë di që pluralizmi është instrumenti i sovranitetit popullor që ushtrohet nëpërmjet zgjedhjeve. Një listë e gjatë me parime themelore Kushtetuese, janë futur kuturu në supën Presidenciale dhe janë kthyer përmbys, që me to të artikulohet nevoja e ç’ dekretimit të zgjedhjeve që është atentati më i madh që në këtë vend i është bërë ndaj sovranitetit, sepse synon ti heqë popullit të drejtën që ta ushtrojë sovranitetin.

Pluralizëm pa zgjedhje dhe pa parlament nuk ka. Kjo është Teoria e sovranitetit. Teoritë e tjera janë njësoj si të shesësh për flori, monedhat kallp.

Të nderuar miq të partisë time dhe deputetë të maxhorancës!

Ne sot jemi mbledhur me rend dite “mocion me debat” për gjithë zallamahinë Presidenciale.

Shumë prej nesh do të donin që presidenti të shkarkohej sot. Dhe unë e kuptoj presionin e militantëve dhe të bazës së partisë, për të shkuar drejt procedurave të shkarkimit të presidentit Meta. Janë po ata militantë dhe po ajo bazë që na pa me inat kur e votuam për President.

Por sot unë them se gabimin që bëmë duke e emëruar, nuk duhet ta thellojmë duke e shkarkuar. Le ta leme të shkruajë deri në fund për aq sa mundet teatrin e vet presidencial.

Ne duhet ta lemë që skenën finale të atij teatri, ta luajë nga zyra e Presidentit.

Ilir Meta nuk e ka në dorë siparin e teatrit që po luan.

Sepse teksti i skenës finale, nuk është më në dorë të dramaturgut që njohim ne të gjithë.

Ajo që kemi në dorë ne, pas 30 qershorit, është të hartojmë dhe të miratojmë në Kuvend një ligj organik për Presidentin. Një ligj të standardit EUROPIAN sipas të cilit çdo dekret presidencial, duhet të kundër firmohet nga ministri i linjës. Të bëjmë standard të Republikës tonë parlamentare atë që është standard i të gjitha Republikave të tjera përqark.

SOT nuk kemi kohë të harxhojmë për llogari të Presidentit.

Pas pak ditësh është data 30 qershor dhe në atë datë do të ripërtërihet mandati i kryebashkiakëve dhe këshillave bashkiake. Atë mandat nuk e ka në dorë presidenti, e ka në dore vetëm populli.

Ai mandat nuk ripërtërihet dot me dekret… DHE AS ME MARRËVESHJE PARTISH.

Ai ripërtërihet VETËM me zgjedhje!

*Fjala e mbajtur në Kuvend

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re