Romani i fundit i Gabriel Garcia Marquez, “Kujtim kurvash të trishta “ (origjinali: Memoria de mis putas tristes; ose: Memories of My Melancholy Whores), u publikua 20 vite më parë, por trashëgimia e autorit kolumbian nuk përfundoi aty.

Pas vdekjes së tij në vitin 2014, një vepër e papërfunduar – e përbërë nga 5 drafte mbi të cilat autori që fitoi çmimin Nobel në letërsi, ishte duke punuar në vitet e fundit të jetës së tij, mbetën në arkivën e tij personale në Universitetin e Teksasit.

Të mërkurën, ditën që Garcia Marquez do të bënte 97 vjeç, romani tashmë i përfunduar “Shihemi në gusht” (origjinali: En agosto nos vemos) u publikua nga djemtë e autorit, Rodrigo dhe Gonzalo Garcia.

Por ashtu siç dyshja e pranon në preambulën e librit, Marquez nuk donte që vepra e tij të publikohej. “Ky libër nuk funksionon,” kujtojnë fëmijët t`u thoshte i ati tyre para vdekjes. “Duhet shkatërruar”.

Pas shqyrtimit të dorëshkrimeve, familja e tij ishte e vendosur se ky libër përmbante thelbin e shkrimtarit që ka mahnitur kaq shumë lexues për dekada me radhë anë e mbanë botës. Në libër, djemtë e Marquez pranojnë se botimi i tij ishte një “akt tradhtie”. Por Gonzalo tha nëë një konferencë për shtyp të martën se asgjë nuk është shtuar përtej asaj që ishte e përfshirë në dorëshkrimet e ndryshme të romanit të lënë nga babai i tij.

“Romani ishte paksa i shpërndarë dhe i hallakatur, por ishte i kompletuar” tha ai, ndërsa vëllezërit prezantuan librin në Institutin Cervantes në Madrid.

“Mund të mos jetë po aq i mirë sa librat e ti më të mëdhenj,” shton Rodrigo: “Por, siç e themi dhe në prolog, padyshim përmban shumë nga karakteristikat e tij të jashtëzakonshme: prozë e bukur, njohuri për qenien njerëzore, fuqinë e përshkrimit”.

Garcia Marquez punoi për romanin për vite me radhë deri sa filloi të vuante nga demenca. Humbja e kujtesës së autorit kolumbian dëmtuan vetëbesimin që kishte në punën e tij, thonë djemtë.

“Ai kurrë nuk mbajti libra të pabotuar,” thotë Rodrigo. “Çdo libër të cilin ai nuk e mbaroi dhe me të cilin nuk ishte i kënaqur u shkatërrua. Kështu, fakti që ai nuk shkatërroi këtë libër të tij, mendoj se gjithashtu ishte shenjë që i pëlqente. Gabo (siç njihej me përkëdheli Garcia Marquez) kur kishte mendjen e shëndoshë, ose do përfundonte librin ose do e shkatërronte atë, prandaj themi që sëmundja bëri të vetën”.

I vendosur në një vend të paidentifikuar të Karaibeve, “En Agosto nos vemos” flet për protagonisten Ana Magdalena Bach, ndërsa ajo bën një udhëtim vjetor në ishullin ku ishte varrosur nëna e saj. Çdo vit, ndërsa ndodhet atje, ajo “çdo natë merr nga një të dashur të ri), sipas një përmbledhjeje nga botuesi Penguin House, që e përshkruan romanin si një “meditim të thellë mbi lirinë, keqardhjen, vetë-transformimin dhe misteret e dashurisë”.

Djemtë e García Márquez kanë konfirmuar se nuk ka asnjë roman tjetër të papërfunduar në ruajtje. “E gjithë puna e Gabos është tani në dispozicion të lexuesve të tij,” tha Gonzalo./Living/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re