Komisioni Evropian zbuloi të mërkurën një strategji të quajtur “Global Gateway”, e cila parashikon investimin e deri në 300 miliardë euro në fonde publike dhe private në projekte infrastrukturore në mbarë botën deri në vitin 2027, në përgjigje të nismës së Kinës – “Belt and Road”.

“Si pjesë e rimëkëmbjes sonë globale, ne duam të ridizajnojmë mënyrën se si e lidhim botën për përparim më të mirë. Modeli evropian ka të bëjë me investimin në infrastrukturën e fortë dhe të butë, investimet e qëndrueshme, teknologjinë dixhitale, klimën dhe energjinë, transportin, shëndetin, arsimin dhe kërkimin, si dhe një mjedis të favorshëm që garanton një fushë loje të barabartë,” tha presidentja e Komisionit Evropian.

“Ne do të mbështesim investime inteligjente në infrastrukturë cilësore, duke respektuar standardet më të larta sociale dhe mjedisore, në përputhje me vlerat demokratike të BE-së dhe normat dhe standardet ndërkombëtare”, shtoi ajo.

Shtetet anëtare të BE-së, institucionet evropiane, duke përfshirë Bankën Evropiane të Investimeve (EIB) dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), do të kërkojnë të mobilizojnë sektorin privat për të shfrytëzuar investimet për transformim.

Ajo tha se strategjia europiane duhet të jetë një “alternativë e vërtetë” ndaj nismës kineze “Belt and Road”.

Komisioni thotë se BE-ja jo vetëm që do të ofrojë kushte solide financiare për partnerët duke ofruar grante, kredi të buta dhe garanci buxhetore për të reduktuar rrezikun e investimeve dhe për të përmirësuar qëndrueshmërinë e borxhit, por gjithashtu do të promovojë standardet më të larta mjedisore, sociale dhe strategjike të qeverisjes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re