KQZ miratoi dje projektvendimin për ndarjen e mandateve për zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e ka përllogaritur ndarjen e mandateve në listë të hapur dhe të mbyllur në 12 qarqet e vendit.
Sipas formulës që do aplikohet për herë të parë në zgjedhjet e pranverës, 46 deputetët e parë të çdo subjekti garues do të jenë produkt i listës së mbyllur ku renditjen e ka caktuar kryetari, ndërkohë vetëm partitë që arrijnë të marrin një numër mandatesh që tejkalon listën e mbyllur do kenë mundësi të çojnë në Kuvend deputetë si preferencë e qytetarit. Për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, partitë politike duhet të gjejnë 186 kandidatë, pasi ndonëse garohet për 140 ulëse në Parlament, ndarja e listës së kandidatëve në dy pjesë, një e fiksuar dhe pjesa tjetër e hapur, detyron subjektet garuese të paraqesin më shumë emra.
Sipas vendimit të KQZ, parashikohet që partitë politike të paraqesin një listë të ndarë në dy pjesë, ku 46 do të jenë në pjesën e mbyllur ndërsa 140 në pjesën e hapur, ku do të garohet për çdo votë. Qarku i Tiranës do të ketë këtë herë 37 mandate, ku secila nga partitë do të duhet të garojë në listën e mbyllur 12 kandidatë dhe në listën e hapur, 37 kandidatë. Nëse një parti fiton 12 mandate, të gjithë kandidatët e listës së saj të mbyllur hyjnë në parlament.
Nëse një prej kandidatëve të listave të hapura fiton, fjala vjen, 20 mijë vota, ose dyfishi i numrit të zakonshëm të votave që zgjedhin një deputet në Shqipëri, ai nuk hyn në parlament.
Po kështu në Qarkun e Fierit, i cili është i dyti më i madhi, partitë do të garojnë 5 kandidatë në listat e mbyllura dhe 16 në listat e hapura për 16 mandatet e deputetëve që zgjidhen nga ky qark. Në zgjedhjet e vitit 2021, në Fier Partia Socialiste fitoi 9 mandate, Partia Demokratike 6 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, 1 mandat.
Në rast se zgjedhjet e vitit 2021 do të ishin zhvilluar me këtë formulën e sotme, nga lista e hapur do të dilnin katër mandate të Partisë Socialiste, një i Partisë Demokratike dhe zero nga LSI. Në Qarqet Durrës dhe Elbasan, ku zgjidhen 14 deputetë, rezultati në vitin 2021 u nda në 8 mandate për PS dhe 6 për PD-në. Në këtë rast, tre nga mandatet e PS dhe 1 nga PD do të dilnin nga listat e hapura.
Sistemi në përgjithësi duket se forcon dorën e kryetarit të partisë humbëse në zgjedhje ndërsa partia fituese do të ketë më shumë kandidatë nga ata të cilët, ndonëse, gjithashtu, janë emëruar nga kryetari, kanë konkurruar për vota reale dhe mbështetje reale. Si edhe në zgjedhjet e shkuara, sistemi është veçanërisht sikletosës për partitë e vogla apo ato të reja që duan të garojnë jashtë tutelës së partive të mëdha.
Këto parti do të duhet të gjejnë një numër të lartë kandidatësh figurantë, probabiliteti i të cilëve për t’u zgjedhur është thjeshtë hipotetik. Nëse një parti e vogël synon të fitojë, fjala vjen, një, dy apo tre mandate në qarqet e mëdha dhe nga një mandat për qarqet e vogla, të gjithë kandidatët e saj fitues do të jenë përcaktuar nga listat e mbyllura.
/Gazeta Panorama