Në takimin elektoral në Fier, kandidati i Kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë e Fierit, Armando Subashi u shpreh dje se fokusi kryesor do të jetë tek turizmi si edhe bujqësia, duke i kthyer në dy degët kryesore të zhvillimit ekonomik për qytetin.

Gjithashtu ai theksoi se në fokus kryesor do të jenë të rinjtë, ndërsa shtoi se Fieri do të ketë universitetin e tij. Ai listoi disa nga premtimet e PS për mandatin e ardhshëm duke nisur nga projekti për të hapur porta të reja drejt Adriatikut dhe ndërtimit të një universiteti në Fier.

“Këtu jemi në Myzeqe dhe shiu është bereqet dhe ky bereqet do të përkthehet në vota më 14 maj. Në katër vitet e ardhshme do të punojmë me një ritëm akoma më të lartë. Përveç vazhdimit të fazës së tre të Gjanicës, do të vazhdojmë edhe me punët në bujqësi do t’i japim rëndësi edhe qendrës së qytetit. Por do ti japim vëmendje edhe turizmit, pasi bujqësia dhe turizmi në Fier do të jetë dy degët kryesore të zhvillimit ekonomik. Kemi përgatitur një sërë projektesh që besoj do t’i fillojmë shumë shpejt, ndoshta brenda këtij viti, për të hapur porta të reja drejt Adriatikut dhe për ta kthyer Fierin në një qendër të rëndësishme të turizmit shqiptar. Kam dy fjalë për të rinjtë, në katër vitet e ardhshme do të jenë në qendër të politikave tona. bashkë me kryeministrin kemi bërë një premtim, që të shikojmë mundësinë e hapjes së një Universiteti në Fier, jam i bindur se ky premtim do të mbahet”, deklaroi Subashi.

Kryeministri Edi Rama e mbylli dje fushatën elektorale në qytetin e Fierit duke shfaqur pamje të lumit të Gjanicës, krejtësisht të rehabilituar. Ai u shpreh se e ka mbajtur premtimin e dhënë për ta kthyer Gjanicën në një aset të Fierit.

“Dhe kur unë ju thashë që ne do ta transformojmë Gjanicën, në një mushkëri të re dhe do t’i japim Fierit mbrapsht lumin, por jo më si burim problemesh, por si një aset për qytetin. Shumëkush mendoi që ishte një nga ato premtimet me të cilat njerëzit ishin mësuar, ja ku është sot Gjanica dhe e gjithë shëtitorja në dy anët e saj që tanimë përshkon të gjithë qytetin, deri në fund. Dhe, ajo që ka rëndësi të thuhet është se ende nuk ka mbaruar shumë punë e shumë detyra që ne kemi. Dhe nuk dua të flas për gjërat e panumërta që janë bërë në Roskovec, për gjërat e shumta që janë bërë në Mallakastër, për ça është bërë në Patos e kështu me radhë”, – tha Edi Rama.

Kryesocialisti u shpreh me bindje për fitoren në Divjakë të Dielën.

“Dua t’i uroj dhe mirëseardhjen kryetarit të ri të bashkisë së Divjakës professor Josif Goresë i cili sot ka ardhur këtu për të marrë nga energjia juja sepse ditën e Dielë sëbashku me Taulantin dhe Erion Braçen në Divjakë ne do të korrim një fitore spektakolare, pro duke folur për detyrat duam të ndalem te ekonomia”, – theksoi ai.

Për Ramën, ekonomia aktuale e vendit shënon një kthesë historike që garanton rritje të të ardhurave për qytetarët.

“Sot Shqipëria është në momentin e një kthese të madhe, të shumëpritur, historike në ekonominë e saj. Me gjithë vështirësitë e mëdha që kemi kaluar, sepse siç ishte Gjanica kur ne nisëm rrugëtimin tonë, ashtu ishte dhe ekonomia. Ashtu ishin financat tona, rendi publik, të gjithë sektorët, ndërkohë që sot si Gjanica po bëhet hap pas hapi një ekonomi që do ketë shumë më tepër për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, të cilët na kanë besuar në shumicë dërrmuese gjatë këtyre viteve dhe kanë duruar situata jashtëzakonisht të vështirë me të cilat na u desh të përballemi”, – deklaroi Edi Rama.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re